Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është larguar nga zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë nën masa të rrepta sigurie, ku qëndroi gjatë natës, shkruan Reporteri.net.
Në momentin që veturat po dilnin nga zyret e EULEX-it bashkë me Thaçin, afër rrugës qëndronin disa persona të cilët brohorisnin “UÇK, UÇK”.
Thaçi sot u vizitua nga vëllezërit dhe bashkëshortja e tij, Lumnije Thaçi.
Pas vizitës, vëllau i tij, Gani Thaçi ka folur shkurt për media, duke thënë se ish-presidentit është mirë me shëndet.
“Është mirë me shëndet, s’kemi të drejtë me folë”, ka deklaruar ai.
Derisa Thaçi po qëndron brenda zyrave të EULEX-it, një grup i të rinjve ka protestuar para këtyre zyrave.
“S’kemi heronj për të sakrifikuar”, “Liria ka emër”, “Drejtësi”, janë disa nga parullat që po mbahen në duar nga këta të rinjtë.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për herë të parë prej që është në paraburgim në Haga nga viti 2020, natën e kaluar ka qëndruar në Kosovë.
Pas qëndrimi të djeshëm në vendlindjen e tij në Burojë të Skenderajt, ku ka bërë homazhe të varri i babait të tij, Thaçi natën e ka kaluar në zyrat e EULEX-it në Kosovë.
/Reporteri.net/.