×
  • Lajme
  • Lajme / Gjyqtarja franceze Mazhori Masëlo

    Gjyqtarja në rastin e Thaçit përfshihej edhe në politikë, pëlqente postimin për raportet e mira mes Francës dhe Serbisë

    Reporteri
    24 Mars 2025 | 11:18

    Gjyqtarja e procedurës paraprake në rastin e Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë, pak kohë më parë përfshihej në diskutimet politike që zhvilloheshin online. Ndodhte kjo para disa muajsh.

    Në rrjetin social Linkedin ku gjyqtarët e prokurorët e Hagës janë tejet aktiv, ajo kishte pëlqyer një postim ku i përfshirë është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Gjyqtarja nga Franca, Mazhori Masëlo kishte pëlqyer postimin e emisarit të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz.

    Troccaz ishte takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Ai e quante Francën partnere të ngushtë të Serbisë në rrugën evropiane.

    “I nderuar që u prita në Beograd nga Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, pak ditë pas vizitës së tij të suksesshme në Francë. Franca qëndron përkrah Serbisë në rrugën drejt Evropës”, shkruante ai në rrjetin social LinkedIn.

    E në mesin e pëlqimeve në këtë postim, ishte edhe i gjyqtares e cila tash është në rastin e Thaçit për pengim të drejtësisë.

    Ajo ka rolin e gjyqtares së procedurës paraprake.

    Edhe në Kosovë, edhe në vendet e tjera, është e ndaluar që gjyqtarët të përfshihen në forma të ndryshme, në diskutimet politike.

    Gjyqtarët e prokurorët në LinkedIn

    Portali Demorkacia pak ditë më parë raportoi për afërsinë mes gjyqtarëve e prokurorëve të Speciales, nëpër rrjete sociale.

    Zëvendësprokurori i Specializuar, Ward Ferdinandusse, përpos me rastin e krerëve të UÇK-së, po merret edhe me çështje të tjera.

    Ai në një shkrim autorial ka treguar se përse ICC duhet të respektojë imunitetin e krerëve të shteteve të treta.

    Shkrimin e tij, ai e ka publikuar në llogarinë e tij në LinkedIn. Madje, ai e ka etiketuar edhe gjyqtarin Guenael Mettraux, që është gjyqtar në rastin ndaj krerëve të UÇK-së dhe i cili është kritikuar më së shumti për pyetje orientuese për llogari të Prokurorisë.

    Sipas zëvendësprokurorit Ward Ferdinandusse, këtë shkrim ai e ka diskutuar me gjyqtarin Guenael Mettraux, gjë që tregon afërsinë personale mes tyre.

    Aktiviteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve në llogarinë LinkedIn është i madh.

    Gjyqtarit zviceran, Guenael Mettraux, nuk i ka pëlqyer fakti se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka ikur vuajtjes së dënimit në çështjen Stormy Daniels.

    Ai ka pëlqyer një shkrim ku kritikohet Qeveria amerikane.

    “Donald Trump, i përjashtuar nga dënimi i tij pas dënimit në çështjen Stormy Daniels. Djali i Joe Biden falet nga babai i tij. A ka qeveria amerikane ende mësime për t’i mësuar dikujt?”, thuhet në shkrimin e Romaine Jean, të cilin e ka pëlqyer publikisht gjyqtari Guenael Mettraux.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!