×
  • Lajme
  • Lajme / Sulm e Kanosje

    Damka: Aktakuza është e pabazë, jemi të pafajshëm

    Reporteri
    25 Mars 2025 | 21:13

    Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka e ka quajtur të pabazë aktakuzën që Prokuroria Themelore në Prizren e ngriti ndaj tij dhe të pandehurit F.D., për “Sulm” dhe “Kanosje”.

    Damka tha se ai dhe i akuzuari tjetër janë të pafajshëm dhe se kjo do të dëshmohet në gjykatë.

    “Jam jashtë Kosovës, e gjithë aktakuza është pabazë, krejt do të sqarohet në gjykatë. Jemi i pafajshëm dhe kjo do të shihet dhe të dëshmohet në gjykatë”, tha Damka për “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas Prokurorisë, Damka ngarkohet se përdori forcë fizike ndaj të dëmtuarve A.M., dhe M.J., për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme që kishte me këtë të fundit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri i parë F.D.(1972), me datë 09.02.2025, rreth orës 17:20 min, në Prizren, përdor forcën fizike ndaj të dëmtuarve A.M., dhe M.J., për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme në mes tij dhe të dëmtuarit M.J., lidhur me publikimin e disa informatave dhe lajmeve në rrjetet sociale, për partinë “KDTP” dhe për kryetarin e partisë-të pandehurin F.D.(1972), derisa të dëmtuarit ishin duke qëndruar në parkun e lagjes me disa anëtarë tjerë të partisë së tyre “YTHP”, për një moment i pandehuri hyn në park dhe me vrull i afrohet të dëmtuarës, dhe i drejtohet me fjalë kanosëse, dhe më pas me dy duart e kap të dëmtuarën nga pjesa e supeve dhe e shtynë, ku më pas aty ndërhyjnë të pranishmit dhe e largojnë të njëjtën nga parku”, thuhet në njoftim.

    Aty thuhet se më pas i pandehuri i drejtohet të dëmtuarit M.J., me fjalë kanosëse dhe menjëherë e sulmon, duke e goditur me trupin e tij, trupin e të dëmtuarit dhe me kokën e tij e shtyen kokën e të dëmtuarit, me ç’rast tek i dëmtuari shkakton dhimbje fizike.

    Me këto veprime, Damka akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, par.1 të Kodit Penal.

    Po ashtu, Damka ngarkohet se seriozisht i kanosi me fjalë të dëmtuarit A.M., dhe M.J., se do t’i privojë nga jeta, duke iu shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri personale.

    Me këto veprime, Damka akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    “Ndërsa, i pandehuri i dytë F.D. (1992), me datë 09.02.2025, rreth orës 17:20 min, në Prizren, përdor forcën fizike ndaj të dëmtuarit M.J., në atë mënyrë që për shkak të rrethanave të cekura si më lart, të njëjtin e sulmon duke e shtyer me duar nga gjoksi i të dëmtuarit, me ç`rast tek i dëmtuari shkakton dhimbje fizike”, thuhet në njoftim.

    Me këto veprime, F.D., akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, par.1 të Kodit Penal.

    Gjithashtu, pandehuri i dytë F.D., akuzohet se seriozisht e kanosë me fjalë të dëmtuarin M.J., se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, në atë mënyrë që, pasi e sulmon të dëmtuarin, i drejtohet me fjalë kanosëse, duke i shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij.

    Me këto veprime, Damka akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    “Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

    Më 11 shkurt 2025, ministrit Damka iu caktua masa e arrestit shtëpiak nga Gjykata Themelore në Prizren.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!