Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar se kryeministri ka rënë pre e “prank call” nga komeidanët rusë.
Nga ZKM e konfirmojnë se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, dy ditë pas zgjedhjeve në Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Zyra e Kurtit e ka quajtur këtë incident fatkeq.
ZKM është munduar që ta lidhë këtë rast me ndikimin e dezinformatave ruse në zgjedhjet e Kosovës.
Kjo është deklarata e Zyrës së Kryeministrit në lidhje me incidentin me telefonatën – prank call:
Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate.
Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private.