×
  • Lajme
  • Lajme / Postimi

    Deklarata e Haradinajt, reagon Abdixhiku: Jeni mësuar që LDK t’ua bëjë politikën për qejf, lodheni kot, presioni po na forcon

    Reporteri
    27 Mars 2025 | 23:03

    Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka reaguar menjëherë ndaj deklaratave të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj i cili tha se “LDK po e bllokon formimin e qeverisë opozitare”.

    Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se po lodhet kot me sulmet ndaj LDK-së, duke shtuar se gjithë ky presion vetëm po e bën LDK’në më të fortë.

    “Ja ku e keni të parin. E ka rendin ai. Kur vjen rendi tek ne, nëse vjen ndonjëherë, qëndrimet i keni të qarta; dhe ato nuk ndryshojnë! Ndoshta dhe janë mësuar që kjo LDK t’ua bëjë politikën për qejf. Ndoshta dhe janë mësuar se me presion të tillë LDK liget e eventualisht dhe bjen. Ky presion veç po na forcon”, shkroi Abdixhiku mes tjerash.

    Postimi i plotë:

    Sonte në Gjakovë, për kafe të vonshme. Mes njerëzve të mbarë, mes mbështetësve tanë e mes bashkëqytetarëve gjakovarë. I falënderova për mbështetjen e dhënë. Turneu i falënderimit vazhdon.

    U fola, i dëgjova, i sigurova për rrugëtimin tonë!

    Për këto sulmet e gjithëanshme ndërsa, nga politikanë, mendimtarë publiko-partiak e secili që disi merr të drejtë të na tregojë se çfarë vendimi e qëndrimi na u dashka të mbajmë ne si LDK, për gjithë këta bashkë, u them se lodheni kot!

    LDK po flet drejtë – po flet njejtë, po flet siç e kanë drejtuar votuesit e vet. Mbi të gjitha, LDK po flet me dioptri realiste në vend. Ky realitet nuk na pëlqen, por ai nuk ndryshon sado që investohet në antifushatë ndaj nesh!

    Ja ku e keni të parin. E ka rendin ai. Kur vjen rendi tek ne, nëse vjen ndonjëherë, qëndrimet i keni të qarta; dhe ato nuk ndryshojnë!

    Ndoshta dhe janë mësuar që kjo LDK t’ua bëjë politikën për qejf. Ndoshta dhe janë mësuar se me presion të tillë LDK liget e eventualisht dhe bjen. Ky presion veç po na forcon.

    Sa pak kanë kuptuar në gjithë këto katër vjet.
    Që ta kuptojnë mirë dhe qartë, ajo politikë është e vdekur tashmë! Nuk kthehet më.

    Së pari LDK!
    Sepse me LDK dhe Kosova!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!