×
  • Lajme
  • Lajme / Qeveria e re

    A është i gatshëm t’ia japë LDK-së kryeministrin, Hamza i prerë: Renditja e partive në zgjedhje dihet, mbi këtë bazë diskutojmë

    Reporteri
    28 Mars 2025 | 11:56

    Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza ka konfirmuar se ka pasur diskutime me partitë e tjera opozitare për formimin e Qeverisë së re. Por Hamza ka thënë se me disa parti nuk kanë arritur deri në atë fazë sa të diskutojnë se si do të duket formula e Qeverisë së re të Kosovës.

    Ai këtu përmendi Lidhjen Demokratike të Kosovës. Hamza tha se me LDK-në nuk kanë arritur ende të kalojnë në fazën ku do të diskutonin për formulën e Qeverisë së re.

    Hamza u pyet se a është e gatshme që LDK-së, t’ia japë postin e kryeministrit në rast se ky paraqitet si kusht nga kjo parti. Ai në një konferencë për media e bëri të qartë se PDK është partia e dytë dhe renditja dihet, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “PDK e ka bërë të qartë, unë e vlerësoj shumë votën e qytetarit…Megjithatë renditja është e qartë, PDK është partia e dytë me 24 deputetë dhe asnjëherë në tavolinë nuk kemi pasë ende temë se si ka me u dokë qeveria e re. Radha dihet dhe mbi bazën e kësaj do të diskutojmë.

    Me disa parti politike thuajse jemi në rregull, ku flasim edhe për formulën e komponimit të Qeverisë, ndërsa sa u përket disa të tjerave, e thashë edhe me LDK-në, ende nuk jemi në atë fazë ku do ta diskutojmë formulën e Qeverisë”, tha Hamza në një konferencë për media.

    Hamza tha se nuk i preferon vijat e kuqe dhe konfirmoi se nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar me VV-në për formimin e Qeverisë së re.

    “Me VV-në nuk kemi pasur deri më tani asnjë komunikim zyrtar. Nuk kemi pranu ftesë dhe as nuk kemi bë ftesë sepse radha dihet. Për mua është e preferueshme krijimi i Qeverisë me LDK-në dhe partitë e tjera”, tha Hamza në një konferencë për media./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!