344 rekrutë të Forcës së Sigurisë së Kosovës diplomuan sot në një ceremoni që u mbajt në Komunën e Ferizajt.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë fjalës së saj tha se betimi si ushtar i FSK-së nuk është thjesht një akt formal, por është mision, nder dhe përgjegjësi e lartë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Osmani tha se shteti ynë ka nevojë për ta.
“Të jeni pjesë e FSK-së nuk është thjeshtë profesion, është një thirrje, mision, nder dhe përgjegjësi e lartë. Sot ju do të bëni betimin tuaj si ushtarë të FKS-së dhe ky nuk është thjesht një akt formal, por një angazhim i shenjtë që do të ju udhëheqë gjatë gjithë jetës suaj ushtarake.
Me këtë uniformë ju mbani mbi supe emrin e Republikës së Kosovës.. Ju jeni brezi që do të garantojë paqen dhe sigurinë për qytetarët tanë. Ju jeni ata që do ta çoni përpara misionin e atyre që sakrifikuan për këtë shtet, ju jeni ata që do ta mbroni amanetin e UÇK-së dhe patriotëve të shumët të tjerë ndër breza”, tha Osmani.
Ndërkaq, kryeministri Kurti tha diplomimi i rekrutëve është shumë i veçantë për faktin se ndodh pikërisht në muajin e lavdisë kombëtare. Ai tha se Kosova ka vendosur themelin e industrisë së mbrojtjes, teksa u shpreh se së shpejti ushtria e Kosovës në inventar do t’i ketë edhe helikopterët ‘Black Hawk’.
“Diplomimi juaj sot është i veçantë për faktin se ndodh në muajin e lavdisë sonë kombëtare. Muaji mars nis me Epopenë e UÇK-së dhe përmbyllet me ndërhyrjen e NATO-s. Uniforma që do ta bartni nga sot është nder i posaçëm dhe përgjegjësi e madhe. Ajo është dëshmi e gjakut të dëshmorëve që u flijuan për lirionë tonë.
Mbështetja jonë do të jetë vazhdimësi e mbështetjes katër vjeçare që kemi bërë deri tani. Përgjatë këtij mandati kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi rekrutuar 2315 ushtarë të rinj të cilëve do të ju shtohen edhe 390 ushtarë të tjerë në muajt e ardhshëm, në total 2705 ushtarë. Kemi investuar në armatim në vlerë prej 319 milionë duke blerë dronët luftarak Bajraktar, sistemin raketor anti-tank, dhe së shpejti do t’i kemi edhe helikopterët ‘Black Hawk’ (Skifterët e zi) në inventarin e ushtrisë. Kemi vendosur themelin e industrisë së mbrojtjes me fabrikën për prodhimin e municionit Made in Kosova, e të gjitha këto sipas standardeve të vendeve të NATO-s. Kemi trajnuar katër herë më shumë ushtarakë dhe kemi zgjeruar infrastrukturën ushtarake me qindra mijëra hektarë”, tha Kurti në ceremoni. /Reporteri.net/