Presidentja Vjosa Osmani ka dalë kundër propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar propozimin si në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE’në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit, shkruan Reporteri.net.
Në njoftim thuhet se Presidenca ka analizuar raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek ZRrE.
“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar poashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale. Në këtë moment, një vendim i mundshëm nga Rregullatori për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët do të ishte në kundërshtim edhe me kornizën ligjore, e cila obligon ZRrE-në që ta sigurojë mbrojtjen e konsumatorit (Neni 1, Ligji për Rregullatorin e Energjisë)”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se kjo rritje e çmimit të energjisë (një rritje kumulative prej pothuajse 126% në katër vite) do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e mallrave dhe shërbimeve, duke shkaktuar në një valë të re inflacioni. “Sipas ASK-së, gjatë vitit 2022 dhe 2023, kur çmimi i energjisë u rrit ndjeshëm, çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera thelbësore gjithashtu u rritën në mënyrë drastike”, theksohet aty.
“Çmimet e ushqimeve, të cilat kanë pasur një rritje të ndjeshme, janë të lidhura ngushtë me koston e energjisë dhe inflacionin në përgjithësi. Kostoja e jetesës është bërë shumë më e rëndë për qytetarët, duke bërë që shpenzimet për energji të arrijnë përqindje të larta të të ardhurave, veçanërisht për ata me paga më të ulëta. Në këtë kontekst, ndërsa disa mund të argumentojnë se Kosova ka çmimin më të lirë të energjisë në rajon, ky qëndrim do të ishte i saktë vetëm nëse analizohet në një kontekst të izoluar. Për një vlerësim real të kostos së energjisë, duhet të merret parasysh fuqia blerëse e qytetarëve, të ardhurat mesatare dhe Bruto Produkti Vendor për kokë banori”, thuhet në njoftim.
Presidenca ka deklaruar tutje se përpara se të miratohet rritja e çmimit të energjisë elektrike, ZRrE-ja, duhet të angazhohet në monitorimin e menaxhimit të energjisë nga KEK-u dhe ta rrisë efikasitetin në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë, duke kontribuar në uljen e nevojës për import dhe në menaxhimin më të mirë të burimeve.
“Rritja e çmimit të energjisë nuk duhet të jetë opcioni i parë dhe i vetëm për të adresuar sfidat financiare, por një zgjidhje më e balancuar dhe e qëndrueshme duhet të jetë në qendër të këtij procesi. Për ta shmangur një valë të re inflacioni dhe për t’i mbrojtur qytetarët dhe ekonominë kosovare, Presidenca propozon një seri rekomandimesh për ta parandaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët”, thekson Presidenca.
Ndryshe, nga muaji i ardhshëm, rryma në Kosovë mund të shtrenjtohet për 15 për qind.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë.
ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues.
Sipas këtij institucioni, rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta./Reporteri.net