×
  • Lajme
  • Lajme / Krerët e vendit

    “Fryma e solidaritetit të vazhdojë”, “Qeveria çmon kontributin e BIK-ut”, si uruan Osmani, Kurti e Konjufca festën e Fitër Bajramit

    Reporteri
    30 Mars 2025 | 18:01

    Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca e kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë uruar qytetarët sot me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke uruar shëndet, mirësi e begati në familjet e tyre, shkruan Reporteri.net.

    Presidentja Vjosa Osmani sot ishte në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për vizitë ku uroi festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë, teksa uroi që besimtarëve t’i është pranuar agjërimi.

    “Është nder i veçantë që nga Bashkësia Islame t’i urojmë të gjithë qytetarët me fat Bajramin me shpresën që lutjet e tyre gjatë muajit të shenjtë të janë pranuar dhe me urimin nga thellësia e zemrës për shëndet begati për secilën familje në secilën shtëpi”, tha Osmani.

    Ajo tutje tha se shpreson që fryma e solidaritetit të vazhdojë gjatë tërë vitit.

    “Shpresoj që kjo festë por edhe i gjithë muaji i shenjtë i Ramazanit të jenë inspirim për secilin qytetarë që kjo frymë e solidaritetit të vazhdojë gjatë tërë vitit”, tha presidentja Osmani.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar të gjithë qytetarët dhe besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.

    Në urimin e tij, Konjufca theksoi se mësimet e sakrificës gjatë muajit të Ramazanit kulmojnë në këtë ditë festive dhe pasqyrojnë një periudhë suksesi në përballimin e sfidave.

    Në zemrat e secilit frymoftë sot e gjithmonë mirësia, dashuria e gëzimi, që ndriçojnë jo vetëm jetët personale, por edhe të atyre që kemi pranë dhe atyre me të cilët ndajmë fatin dhe të ardhmen tonë të përbashkët”, ka shkruar ai.

    Konjufca gjithashtu shtoi se mësimet e Ramazanit, që përfunduan me sukses, forcojnë shpirtin dhe virtytet, dhe janë një hap përpara në përmirësimin e solidaritetit dhe kujdesit për ata që kanë nevojë më shumë.

    Kryeministri Albin Kurti i cili ka qenë për vizitë në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për të uruar festën e Fitër Bajramit, u prit nga myftiu Naim Tërnava, me çrast tha para mediave ka uruar festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

    “Qeveria e Kosovës e vlerëson dhe e çmon lartë rolin dhe kontributin e BIK-ut me në krye myftiun Naim Tërnava, në të gjitha etapat e zhvillimit, të përparimit, të çlirimit dhe të pavarësimit të vendit tonë”.

    “Urime dhe gëzuar Bajrami, për hajër Bajrami të gjithëve, Zoti kabull agjëruesve, dhe një mirënjohje për aspektin social të Bashkësisë Islame të Kosovës që ndihmoi të varfëritë ata që e kanë gjendjen e vështirë në mënyra të ndryshme, kësisoj dëshmon mëshirën, solidaritetin dhe dëshirën për begati për të gjithë pa dallim”, ka thënë Kurti.

    “Në këtë pranverë përkujtojmë edhe 37 dëshmorët e UÇK-së që vijnë nga radhët e imamëve dhe hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës”, ka deklaruar Kurti. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!