Një ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se do të vendoste një taksë të re importi prej 25 për qind ndaj veturave dhe pjesët e huaja të automjeteve, shumë nga prodhuesit më të mëdhenj të automobilave në botë mbetën të tronditur dhe të heshtur, ndërsa përpunonin një lëvizje që pritet të shkaktojë kaos në industri.
Investitorët shitën të enjten aksionet e prodhuesve të veturave në Japoni, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke zhdukur miliarda nga vlera e kompanive si Toyota, BMW dhe Jaguar Land Rover.
Firmat amerikane ishin ndër më të goditurat, me General Motors që humbi më shumë se 7 për qind të vlerës së saj, shkruan bbc.
Aksionet e Teslës, e njohur për fabrikat e saj në SHBA dhe për faktin që shefi i saj, Elon Musk, është një nga donatorët më të mëdhenj dhe këshilltarët më të afërt të Trumpit, u kursyen nga rënia, duke e mbyllur ditën pa lëvizje të mëdha.
Megjithatë, Musk paralajmëroi se as kompania nuk do të ishte e paprekur nga këto tarifa.
“Është e rëndësishme të theksohet se Tesla nuk ka mbetur e padëmtuar”, shkroi Musk në rrjetet sociale dhe shtoi se “ndikimi në kosto nuk është i vogël”.
Today, Trump introduced a 25% tariff on ALL vehicles not made in the United States. This tariff will go into effect on April 2nd. About 40% of all new cars sold in the US are imported, so this tariff is a big deal.
This is a breakdown of where cars sold in the US are made:
•… pic.twitter.com/4afYiJvtph— Sawyer Merritt (@SawyerMerritt) March 26, 2025
Modeli Y i Teslës, i cili kryesoi indeksin e Cars.com për veturat e prodhuara në Amerikë për të tretin vit radhazi në 2024, siguron vetëm 70 për qind të pjesëve të tij nga SHBA, sipas Patrick Masterson, studiuesi kryesor i listës.
“Mesazhi kryesor që njerëzit duhet të kuptojnë është se asnjë automjet nuk është 100 për qind i prodhuar në SHBA”, tha ai.
“Konsumatorët do ta ndiejnë këtë kudo, dhe nuk mendoj se ndonjë prodhues veturash do të shpëtojë nga kjo, përfshirë Teslën”, shtoi miliarderi afrikano-amerikan.
Tarifat e fundit mund të prekin rreth 300-400 miliardë dollarë importe, në varësi të pjesëve që përfshihen në urdhër, sipas Macquarie. Kjo përbën pothuajse 10 për qind të gjithçkaje që SHBA-ja importon çdo vit.
Pritet që çmimet të rriten nga rreth 4000 deri në 12 mijë dollarë, në varësi të automjetit.
Shumë kompani të mëdha automobilistike operojnë në SHBA, ndërsa gjithashtu importojnë modele ose pjesë nga jashtë.
Toyota e Japonisë, për shembull, ka dhjetë fabrika prodhimi në SHBA dhe SUV-i i saj, Highlander renditet lart në listën e veturave të prodhuara në Amerikë.
Por, modeli Prius importohet nga Japonia.
General Motors gjithashtu sjell pjesë dhe vetura të rëndësishme nga Koreja dhe Meksika, të cilat gjithashtu janë burime kryesore për Volkswagen, pavarësisht se ky i fundit monton SUV-in Atlas në SHBA.
Disa kompani mund të arrijnë të zhvendosin prodhimin në fabrikat e tyre në SHBA, sugjeron Oxford Economics, por paralajmëron se një lëvizje e tillë ka të ngjarë të çojë në rritje çmimesh dhe “ulur ndjeshëm prodhimin në partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së”.
Ky veprim pritet të ketë një ndikim më të madh te prodhuesit e automobilave që eksportojnë nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat njihen për shitjen e markave premium dhe luksoze me çmime të larta, si Jaguar Land Rover, Mercedes-Benz dhe Audi.
Ferrari, i cili dërgon makinat nga Italia, menjëherë njoftoi një rritje çmimi prej 10 për qind për të mbuluar kostot e reja të tarifave.
Ndërsa kompanitë detyrohen t’i përgjigjen tarifave 25 për qind, qoftë duke rritur çmimet apo duke pranuar fitime më të ulëta, disa mund të vendosin të tërheqin disa modele nga tregu amerikan krejtësisht, duke kufizuar zgjedhjet për konsumatorët në SHBA, paralajmëroi Patrick Anderson, drejtori ekzekutiv i Anderson Economic Group.
Kjo mund të çojë gjithashtu në uljen e prodhimit në vendet e tyre të origjinës për prodhuesit që nuk kanë një prani të madhe prodhimi në SHBA, si Jaguar Land Rover apo Porsche, duke ndikuar potencialisht në vendet e punës.
Të gjitha veturat Mitsubishi të shitura në SHBA janë të importuara, ndërsa Hyundai, i cili njoftoi planet për një fabrikë në SHBA këtë javë, aktualisht importon shumicën e makinave nga Koreja e Jugut.
Trump, i cili filloi të diskutojë tarifat mbi veturat gjatë mandatit të parë presidencial, tha se zbatimi i fundit i tarifave do të jetë i përhershëm, duke pretenduar se kjo do të forcojë bazën prodhuese të Amerikës.
Kjo lëvizje vjen pas vendimeve të mëparshme për të vendosur tarifa të paktën 20 për qind mbi mallrat e importuara nga Kina në SHBA, si dhe taksa prej 25 për qind mbi disa mallra nga Kanadaja dhe Meksika.
Një taksë importi prej 25 për qind mbi të gjithë çelikun dhe aluminin që hyn në Amerikë është gjithashtu tashmë në fuqi.
Ai gjithashtu planifikon të prezantojë të ashtuquajturat tarifa reciproke kundër vendeve të veçanta, bazuar në balancën e tyre tregtare me SHBA.
Shtëpia e Bardhë tha se tarifat mbi veturat do të hyjnë në fuqi më 3 prill, ndërsa tarifat për disa pjesë veturash pritet të zbatohen një muaj më vonë.
Për momentin, pjesët e prodhuara në Meksikë dhe Kanada – të cilat tradicionalisht kanë hyrë në SHBA nën një marrëveshje të tregtisë së lirë – do të përjashtohen, ndërsa zyrtarët përgatisin sistemet doganore.
Përjashtimi për pjesët nga Meksika dhe Kanadaja, të cilin Shtëpia e Bardhë e quajti të përkohshëm, ishte një lehtësim për disa në industri.
Megjithatë, General Motors ende përballet me kosto të mundshme shtesë që fillojnë nga rreth 10.5 miliardë dollarë, sipas JP Morgan.
Fatura e Fordit do të fillojë me rreth dy miliardë dollarë, duke u më shumë se dyfishuar me kalimin e kohës kur tarifat mbi pjesët të hyjnë në fuqi, sipas vlerësimeve të gjigantit bankar.
Ai tha se kostoja shtesë për të gjithë industrinë do të arrijë mbi 80 miliardë dollarë.
Jennifer Safavian, presidente e Autos Drive America, e cila përfaqëson prodhuesit ndërkombëtarë të makinave, tha se anëtarët e saj janë ende duke analizuar pasojat e këtij vendimi dhe tarifave të tjera të shpallura së fundmi ose që priten të vendosen.
Por, ajo paralajmëroi se masa do të çojë në rritje të çmimeve, më pak shitje dhe ulje të prodhimit në të gjithë industrinë.
“Ata po përpiqen ta kuptojnë këtë situatë. Por përsëri, nuk ka asnjë dyshim se këto tarifa do të kenë një ndikim në industrinë amerikane të automobilave”, shtoi ajo. /Telegrafi/