Një rast i rëndë ka ndodhur në Podujevë, ku një nënë në kushte të rënda psiqike dyshohet se ka tentuar t’iu bëjë keq katër fëmijëve e saj.
Nëna në fjalë më pas është marrë nga Policia dhe e njëjta është dërguar në neuropsikiatri për trajtim.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi e ka konfirmuar rastin për Gazetën Online Reporteri.net, i cili ka thënë se ky është një rast delikat, pasi bëhet fjalë për dy prindër në gjendje të rëndë psiqike.
Ai bëri të ditur për Gazetën Online Reporteri.net se fëmija më i vogël i nënës në fjalë është vetëm dy javë, dhe i njëjti s’i është dhënë asaj për shkak gjendjes që ka, dhe është ndalur në Qendrën e lindjes në QKUK qysh nga lindja.
“Bëhet fjalë për një çift me të meta psiqike, është një rast delikat. Është e vërtetë që nëna ka tentuar diçka, dhe të njëjtën e kanë marrë Policia dhe është dërguar për trajtim në neuropsikiatri. Ajo i ka katër fëmijë. Fëmija më i vogël është dy javë dhe ia kanë ndalë në qendrën e lindjes në QKUK, s’ja kanë dhënë nënës”, tha Gashi për Reporteri.net.
Gashi shtoi se tre fëmijët e tjerë tani janë me babain, ani pse edhe ai është në gjendje të njëjtë, të rënduar.
“Fëmijët e tjerë janë me babën”, ndërsa shtoi se nëna e tyre tashmë veçse është në izolim total.
Lidhur me këtë rast, Kryeprokurori i Prishtinës tha se ka urdhëruar inicimin e hetimit për veprën penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijëve”.
/Reporteri.net/