Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka reaguar pasi Gazeta Online Reporteri.net publikoi komunikimet e brendshme të anëtarëve të Kryesisë Qendrore të LDK’së, ku Kujtim Shala dhe Arben Gashi kanë zhvilluar një komunikim “goxha të nxehtë”. Gashi në këtë komunikim këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”.
Mehmeti Selimi ka shpërndarë screenshot’at e këtyre komunikimeve të publikuara nga Reporteri.net, teksa është marrë me Kryetarin e LDK’së, Lumir Abdixhikun dhe nënkryetaren Doarsa Kica-Xhelili, për të cilët ka thënë se duhet të dorëhiqen dhe vetëdorëzohen në Polici.
Ajo ka thënë se dyshimet e forta për vjedhjen dhe manipulimin e votave të mërgatës nga ana e LDK-së janë një goditje e rëndë për demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve.
“Si për habi Lumiri dhe Doarsa (projektuesit e manipulimit) po heshtin për këto akuza… Për këta dy, dorëheqja dhe vetëdorzimi në polici është e pakta që duhet bërë. Institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë menjëherë për të hetuar këto pretendime dhe për të ndëshkuar fajtorët. Vota është e shenjtë dhe askush nuk guxon ta prekë apo ta manipulojë atë”, ka shkruar Mehmeti-Selimi.
Ndryshe, Reporteri.net pak më herët publikoi komunikimet e brendshme të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, më 2 mars 2025, këtë herë në grupin në “Viber” ku pjesë e tij është edhe kryetari Lumir Abdixhiku.
Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në këtë komunikim po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”. Gazeta Online Reporteri.net i ka siguruar këto komunikime të brendshme.
“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.
“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.
“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në Viber të kryesisë së LDK-së, të cilin e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.
“Ok dajë, e identifikojmë dhe e adresojmë si duhet. Jemi ne, por kemi edhe institucione që merren me gjëra të tilla”, reagoi sërish Shala.
Me “Ok.”e mbyll diskutimin më të Arben Gashi.
“Skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në grupin e brendshëm të Kryesisë në “WhatsApp” e ka nxjerrë në publik gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi.