×
  • Lajme
  • Lajme / Përplasja në Viber

    “Manipulimi më i madh”, reagime nga VV’ja për bisedat në Viber të LDK’së që i publikoi Reporteri – kërkojnë të veprojë Prokuroria

    Reporteri
    31 Mars 2025 | 19:52

    Komunikimet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që i publikoi Gazeta Online Reporteri.net, mes anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie, ku flitet për një “skeme të organizuar kriminale” lidhur me votat me postë të mërgatës, kanë nxitur reagimin e zyrtarëve të Vetëvendosjes.

    komunikimet e publikuara sot, janë mesazhet e Kujtim Shalës, Arben Gashit, Armend Zemajt dhe Avdullah Hotit. Gashi në këtë komunikim këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”.

    Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, ka shpërndarë artikullin e Reporteri.net për këto biseda, teksa ka thënë se “LDK-ja e pranon që ka pasur vjedhje industriale të votave nga diaspora”.

    Ai ka kërkuar që Prokuroria të veprojë menjëherë.

    “PZAP dhe Gjykata Supreme rrëzoi ankesën tonë në lidhje me manipulimin e votave nga diaspora. Ndërsa vetë LDK-ja e pranon që ka pasur vjedhje industriale të votave nga diaspora.  Prandaj veprimet e tyre kanë qenë jo të drejta, të turpshme dhe ato e kanë lënduar demokracinë në vendin tonë. Çdo orë që vonon prokuroria në hetimin e kësaj ngjarjeje e thellon edhe më tej problemin”, ka shkruar Rexhaj.

    Bisedat i ka shpërndarë edhe ish-deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi. Ai ka thënë se këto biseda konfirmojnë dyshimet që ka ngritur kjo parti.

    “Ata në Whatsapp e Viber jo vetëm se po tregojnë krimin, por edhe autorët e krimit. Të gjithë po i shohim faktet. Provat i kishin edhe në ankesat tona, por PZAP e Supremja zgjodhen të mbyllin sytë. Ne kemi vazhduar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk është një çështje mandatesh e partishë, por çështje parimore për të mbrojtur vullnetin e ligjshëm e ruajtur integritetin e zgjedhjeve”, ka shkruar Rrustemi.

    Edhe ai ka kërkuar që Prokuroria të veprojë.

    “Rasti është edhe në Prokurori. Kur i fton prokuroria këta? Çka duhet të ndodhë tjetër që Prokuroria me i ftu për intervistim? Çka ndodh me PZAP që nuk bëri as hetime e verifikime apo seancë dëgjimore që e kishte detyrim ligjor?  Ky krim zgjedhor, më i madhi në zgjedhje i përqendruar në një numër votash nuk mund të injorohet e amnistohet”, ka shkruar Rrustemi.

    Për bisedat e publikuara, me reagim ka dalë edhe zëvendësministri në detyrë Blerim Sallahu.

    “Kur e patëm dorëzuar ankesën në PZAP, para mediave pata thënë se manipulimi i votave me postë  është skemë kriminale e organizuar nga udhëheqja e LDK-së. Pra, ashtu edhe doli!”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, Prokuroria Speciale duhet të hetojë Kryesinë e LDK’së, anëtarët e PZAP’it dhe ata të Gjykatës Supreme.

    “Tash Gjykata Kushtetuese duhet së shpejti të marrë  masë të përkohshme ndaj aktgjykimit të Gjykatës Supreme dhe njëkohësisht PSRK përveç kryesisë të LDK-së, duhet t’i hetojë edhe anëtarët e PZAP-së bashkë me ata të Supremes të cilët në mënyrë të kundërligjshme e kanë legalizuar dhe legjitimuar manipulimin kriminal të votave të udhëhequr nga udhëheqja e LDK-së!”, ka shkruar Sallahu.

    Reagim bëri edhe deputetja e zgjedhur, Shqipe Mehmeti Selimi. Ajo ka shpërndarë screenshot’at e këtyre komunikimeve të publikuara nga Reporteri.net, teksa është marrë me Kryetarin e LDK’së, Lumir Abdixhikun dhe nënkryetaren Doarsa Kica-Xhelili, për të cilët ka thënë se duhet të dorëhiqen dhe vetëdorëzohen në Polici.

    Ajo ka thënë se dyshimet e forta për vjedhjen dhe manipulimin e votave të mërgatës nga ana e LDK-së janë një goditje e rëndë për demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve.

    “Si për habi Lumiri dhe Doarsa (projektuesit e manipulimit) po heshtin për këto akuza… Për këta dy, dorëheqja dhe vetëdorzimi në polici është e pakta që duhet bërë. Institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë menjëherë për të hetuar këto pretendime dhe për të ndëshkuar fajtorët. Vota është e shenjtë dhe askush nuk guxon ta prekë apo ta manipulojë atë”, ka shkruar Mehmeti-Selimi.

    Ndryshe, Reporteri.net pak më herët publikoi komunikimet e brendshme të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, më 2 mars 2025, këtë herë në grupin në “Viber” ku pjesë e tij është edhe kryetari Lumir Abdixhiku.

    Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në këtë komunikim po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”. Gazeta Online Reporteri.net i ka siguruar këto komunikime të brendshme.

    “Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.

    “Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.

    “Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në Viber të kryesisë së LDK-së, të cilin e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.

    “Ok dajë, e identifikojmë dhe e adresojmë si duhet. Jemi ne, por kemi edhe institucione që merren me gjëra të tilla”, reagoi sërish Shala.

    Me “Ok.”e mbyll diskutimin më të Arben Gashi.

    “Kujtë qitja emrin… skemë e organizuar kriminale” – përplasja në “Viber” mes Shalës e Gashit për votat e diasporës

    “Skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në grupin e brendshëm të Kryesisë në “WhatsApp” e ka nxjerrë në publik gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!