Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se bisedat e brendshme në grupin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të publikuara sot nga Gazeta Online Reporteri.net, tregojnë “një realitet të keqpërdorimeve të LDK’së”.
Ai ka thënë se akuzat e ngritura nga anëtarët e Kryesisë së kësaj partie të hetohen menjëherë nga institucionet e drejtësisë dhe që përgjegjësit të përballen me ligjin.
“Kosova meriton transparencë, drejtësi dhe zgjedhje të lira – jo manipulime”, ka shkruar Bajqinovci, teksa ka ndarë edhe screenshot’a të këtyre bisedave.
Ndryshe, Reporteri.net pak më herët publikoi komunikimet e brendshme të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, më 2 mars 2025, këtë herë në grupin në “Viber” ku pjesë e tij është edhe kryetari Lumir Abdixhiku.
Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në këtë komunikim po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”. Gazeta Online Reporteri.net i ka siguruar këto komunikime të brendshme.
“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.
“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.
“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në Viber të kryesisë së LDK-së, të cilin e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.
“Ok dajë, e identifikojmë dhe e adresojmë si duhet. Jemi ne, por kemi edhe institucione që merren me gjëra të tilla”, reagoi sërish Shala.
Me “Ok.”e mbyll diskutimin më të Arben Gashi.
“Skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në grupin e brendshëm të Kryesisë në “WhatsApp” e ka nxjerrë në publik gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi.