×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata

    Formimi i qeverisë së re, Konjufca: Besoj i kemi numrat

    Reporteri
    01 Prill 2025 | 14:03
    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

    Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca pret që formimi i Qeverisë së re të bëhet shumë shpejt, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

    Konjufca beson se VV-ja i ka numrat, por që fillimisht po presin konstituimin e parlamentit.

    “Sa i përket zgjedhjeve krejt çka presim është të themelohet shumë shpejtë Qeveria e Kosovës në parlament. Fillimisht parlamenti duhet të konstituohet. Besoj që i kemi numrat”, ishte deklarata e Konjufcës pasi bëri pas homazheve që bëri në 26 vjetorin e Masakrës në Lubeniq të Pejës.

    E, për seancën konstituive, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani tha për Gazetën Online Reporteri.net se sot pasdite do të publikohet dekreti për seancën në Kuvend.

    Më 27 mars u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, kur edhe filloi rrjedha e afatit 30 ditor për mbajtjen e seancës konsitutive.

    Sipas rezultatit përfundimtar, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me mbi 390 mijë vota apo 42.30 për qind.

    E dyta është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190 mijë vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga LDK-ja me mbi 170 mijë vota, apo 18.27 për qind.

    Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-Demokrate me mbi 66 mijë vota apo 7.06 për qind dhe Lista Serbe ka siguruar mbi 39 mijë vota apo 4.26 për qind.

    Sipas rezultateve, VV-së i takojnë 48 ulëse në Kuvend, PDK-së 24, ndërsa LDK-së 20 ulëse, AAK-NISMA me 8 deputetë dhe Lista Serbe 9 sosh.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!