×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Vrasja e policit në Kaçanik, Sveçla fton dorasin të dorëzohet: I gjithë aparati shtetëror është i mobilizuar të zbulojë dhe arrestojë

    Reporteri
    02 Prill 2025 | 13:30
    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dalë me reagim pas vrasjes së mbrëmshme në Kaçanik, ku u qëllua për vdekje polici Muhamed Lika. 

    Sveçla ka thënë se që nga momenti që ka marrë lajmin është në komunikim të vazhdueshëm me Policinë, me kërkesën që sa më parë të zbulohet vrasësi dhe të gjitha rrethanat e këtij krimi. Ai e ka ftuar dorasin apo dorasit që sa më parë të dorëzohen në organet e rendit, shkruan Reporteri.net.

    Sipas Sveçlës, i gjithë aparati shtetëror pa hezitim dhe pa kursim është i mobilizuar të zbulojë dhe arrestojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë vrasje.

    “Kontributi i Rreshter Muhamedit si në çlirimin e vendit ashtu edhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, do të mbetet shembull për secilin zyrtar policor në shërbim. I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Rreshter Muhamedit, zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe të gjithë atyre që e kanë pasur fatin të njohin atë. U prehtë në paqe në tokën e Republikës sonë të cilës i shërbeu gjithmonë me vullnet e guxim!”, ka shkruar Sveçla.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli tha për gazetën online Reporteri.net se po punojnë intensivisht për zbardhjen e rastit.

    Veseli po ashtu shtoi se ende nuk dihen motivet e kësaj vepre të rëndë.

    Rasti ndodhi mbrëmë rreth orës 23:00.

    Rrethanat tjera të vdekjes janë akoma të paqarta.

    “Më 01.04.2025, rreth orës 23:00, kemi pranuar një informacion se një person është plagosur dhe gjendet në gjendje të rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik. Viktima është një pjesëtar i Policisë së Kosovës Në vendngjarje, përveç njësive policore, ka dalë edhe ekipi i emergjencës së Kaçanikut, të cilët e kanë transportuar në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik. Si pasojë e plagëve të marra pjesëtari i Policisë ka ndërruar jetë, kjo është konstatuar nga mjekët në këtë qendër”, deklaruan mbrëmë nga policia./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!