Afër 3 mijë euro ka shpenzuar Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për vizitën që kishte zhvilluar në janar të këtij viti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e të cilën e kishte mbajtur të fshehtë. Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar të dhënat mbi shpenzimet e Gërvallës në këtë vizitë, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike. MPJD ka ofruar të dhëna të pjesshme për këtë vizitë, vetëm pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Një ditë para ceremonisë së inaugurimit së Presidentit të ShBA’së, Donald Trump, Kryediplomatja Donika Gërvalla kishte udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e saj ishte mbajtur e fshehur, e ishte zbuluar vetëm pasi ajo ishte parë në Aeroportin e Stambollit. Konfirmimi se ajo kishte qëndruar në ShBA ishte bërë nga MPJD tek pas kthimit të saj në Kosovë.
Mediat raportuan se kryediplomatja s’ka zhvilluar asnjë takim në këtë vizitë dhe se ka ndenjur e mbyllur në hotel për dy ditë rresht. Për shpenzimet e kësaj vizite, ka pasur disa raportime, por të pakonfirmuara.
Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar të dhënat mbi shpenzimet e Gërvallës në këtë vizitë, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike. Këto dokumente i janë ofruar mediumit vetëm pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Nga të dhënat e ofruara nga MPJD, del se Gërvalla ka shpenzuar 2 mijë e 840 euro për këtë vizitë.
2 mijë euro i ka kushtuar vetëm bileta, teksa për akomodim nga 19 deri më 20 janar, Gërvalla ka paguar 469 euro e 13 centë.
Si mëditje për këtë udhëtim, ajo ka marrë 345 euro, ndërkohë 25 euro tjera janë shpenzime të taksit. Shpenzimet e ushqimit nuk janë të ndara.
A zhvilloi ndonjë takim Gërvalla?
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës s’kanë pranuar të japin detaje rreth takimeve të Ministres. Vizita thonë se ka qenë e planifikuar dhe se shkaku i natyrës së takimeve të zhvilluara, informacionet janë konfidenciale dhe të klasifikuara.
“Lidhur me kërkesën tuaj për qasje në dokumente publike rreth vizitës së Ministres Gërvalla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ju njoftojmë se kjo vizitë është realizuar në kuadër të planifikimit të vizitave dhe, për shkak të natyrës së takimeve të zhvilluara, konform legjislacionit në fuqi, informacionet janë konfidenciale dhe të klasifikuara, andaj nuk mund të japim detaje”, thuhet në përgjigjen e MPJD’së drejtuar Reporteri.net.
Një reagim për këtë vizitë, Gërvalla e kishte bërë pas kthimit në Kosovë, më 22 janar, duke sulmuar median që kishte raportuar se kryediplomatja gjatë kësaj vizitë ka shpenzuar 7 mijë euro për akomodim për një natë dhe se s’ishte takuar me askënd.
“O mercenarë të rrenës e mashtrimit! Gjysëm ore emision në Klan, zero informacion, zero të vërteta. Ama bash zero. Ju veç gazetarë nuk jeni!”, kishte shkruar Gërvalla./Reporteri.net