Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, njëherësh Kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), me të cilin ka diskutuar për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ministri, të cilit iu ngrit aktakuza më 25 mars, dhe dyshohet për dy vepra penale, tregoi gatishmëri që bashkëpunimi mes tyre të vazhdojë.
Krahas Damkës, Kurti takoi edhe Kryetarin e Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç, që gjithashtu mban pozitën e nënkryetarit të KDTP-së.
“Bashkë diskutuan për hapat përpara për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të të dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit. Kryeministri Kurti falënderoi z. Damka për punën si ministër i kabinetit në këtë mandat të plotë të qeverisë dhe për bashkëpunimin e afërt si në qeveri ashtu edhe në kuvend. Të dyja palët shprehën vullnetin dhe gatishmërinë që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në legjislaturën në vijim.
Ky takim u mbajt në kuadër të konsultimeve me partitë politike të komuniteteve joshumicë për formimin e qeverisë së re pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përgjatë ditës kryeministri do të zhvillojë takime edhe me drejtues dhe përfaqësues tjerë të partive të komuniteteve joshumicë që kanë fituar mandat të përfaqësimit në kuvend”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Ministri Damka më 10 shkurt të këtij viti, ishte ndaluar për 48 orë, pasi dyshohej se kishte sulmuar fizikisht dy persona. Ai së bashku me dy persona të tjerë, thuhej se kishin kanosur dhe sulmuar viktimën femër kosovare.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit kanë kanosur dhe sulmuar viktimën femër kosovare. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dy të dyshuar dërgohen në mbajtje ndërsa një lirohet në procedurë të rregullt”, kishte njoftuar policia.
Prokuroria Themelore në Prizren, javën e kaluar ngriti aktakuzë ndaj dy të pandehurve, Fikrim Damka, dhe F.D., pasi dyshohen se kanë kryer veprat penale “Sulmi” dhe “Kanosja”.
/Reporteri.net/