Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është në kërkim të votave për ta siguruar edhe një mandat në krye të Qeverisë. Nga dje, ai ka nisur konsultimet me krerët e partive. Në takimet e sotme, Kurtit iu renditën kërkesa në këmbim të votave. Dje, ai e siguroi votën e Emilija Rexhepit.
Në Zyrën e Kryeministrit sot kanë qëndruar kryetarët e partive të komuniteteve joshumicë, me ftesë të vetë Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Në takime të ndara, Kurti ka kërkuar nga Veton Berisha, Duda Balje e Fikrim Damka, votën për formimin e Qeverisë Kurti 3.
Berisha e Balje u deklaruan për gazetarët, ku dhënë detaje rreth takimeve.
Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka deklaruar se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti në formimin e Qeverisë së re. Ai tha se para Kurit shpalosën programin qeverisës të PLE-së, dhe në qeverinë e ardhshme presin të bëhen pjesë e politikave vendimmarrëse.
Në këmbim të votës, Berisha tha se ka paraqitur kërkesa para Kurtit.
“Biseduam për një bashkëpunim të mundshëm midis nesh. Normalisht, ne si PLE, për shkak të kërkesave tona që janë në raport me zhvillimin e komunitetit egjiptian, në parim, nuk kemi asnjë vijë të kuqe, me askënd, në këtë rast as me kryeministrin Kurti, e as me askënd në Kosovë. Ne normalisht i patëm kërkesat tona dhe nëse hyjmë në qeveri, kërkuam që me pasë mundësi që me ndiku në politikat qeveritare, me marrë përgjegjësi. E Dorëzuam programin e partisë dhe ka mbetë që ditët në vijim të kemi takime prapë. Ne do të jemi në Kuvend ditën kur mbahet seanca konsisutive, ndërsa për qeverinë e presim një moment tjetër kur jemi të gatshëm”, tha Berisha.
Me kërkesa Kurtit i shkoi edhe Kryetarja e Unionit Socialdemokrat (SDU), Duda Balje.
E pyetur nëse do ta votojë Qeverinë Kurti 3, Balje tha se në takimin e sotëm vetëm ka paraqitur kërkesat që kanë, por se nuk ka dhënë asnjë konfirmim për këtë çështje, e as nuk ka marrë ndonjë të tillë për kërkesat e paraqitura, shkruan Reporteri.net.
“Sot na kemi pas takimin e parë edhe në fakt unë dola para kryeministrit me kërkesat që ne si boshnjakë kemi. Nuk kemi marrë asnjë konfirmim dhe nuk kemi jap asnjë konfirmim, dmth është takimi i parë tash për tash jemi në fazën e bisedimeve, kurgjë më tej”, deklaroi Balje.
Ajo foli edhe për kërkesat që i shtroi te Kurti.
“Për kërkesa unë fola disa herë, është Komuna e boshnjakëve, është reforma në arsim edhe dmth tretmani i barabartë me krejt deputetët brenda Kuvendit”, tha Balje.
Kushtet e njëjta tha se janë edhe për partitë opozitare, me të cilat konfirmoi se ka pasur bisedime.
“Po, edhe kemi fol. Na jemi edhe pjesë e Kuvendit. Kemi drejt me fol me secilin, pra secila parti e shqiptarëve që ka 51 vota, edhe na si deputetë jemi këtu”, deklaroi Balje.
Ndërkohë për takimin me Damkën, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
“Bashkë diskutuan për hapat përpara për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të të dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit. Kryeministri Kurti falënderoi z. Damka për punën si ministër i kabinetit në këtë mandat të plotë të qeverisë dhe për bashkëpunimin e afërt si në qeveri ashtu edhe në kuvend. Të dyja palët shprehën vullnetin dhe gatishmërinë që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në legjislaturën në vijim.
Ky takim u mbajt në kuadër të konsultimeve me partitë politike të komuniteteve joshumicë për formimin e qeverisë së re pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përgjatë ditës kryeministri do të zhvillojë takime edhe me drejtues dhe përfaqësues tjerë të partive të komuniteteve joshumicë që kanë fituar mandat të përfaqësimit në kuvend”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Ministri Damka më 10 shkurt të këtij viti, ishte ndaluar për 48 orë, pasi dyshohej se kishte sulmuar fizikisht dy persona. Ai së bashku me dy persona të tjerë, thuhej se kishin kanosur dhe sulmuar viktimën femër kosovare.
Prokuroria Themelore në Prizren, javën e kaluar ngriti aktakuzë ndaj dy të pandehurve, Fikrim Damka, dhe F.D., pasi dyshohen se kanë kryer veprat penale “Sulmi” dhe “Kanosja”.
Dje Kurti është takuar edhe me kryetaren e Partia e Re Demokratike (NDS), Emilija Rexhepi.
Në njoftimin e ZKM’së është thënë se Rexhepi konfirmoi gatishmërinë e plotë për vazhdim të bashkëpunimit me Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të fundit.
“Rexhepi konfirmoi gatishmërinë e saj për të vazhduar bashkëpunimin me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, duke mbështetur Kurtin në procesin e formimit të qeverisë së re”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Sipas rezultatit përfundimtar, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me mbi 390 mijë vota apo 42.30 për qind.
E dyta është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190 mijë vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga LDK-ja me mbi 170 mijë vota, apo 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-Demokrate me mbi 66 mijë vota apo 7.06 për qind dhe Lista Serbe ka siguruar mbi 39 mijë vota apo 4.26 për qind.Sipas rezultateve, VV-së i takojnë 48 ulëse në Kuvend, PDK-së 24, ndërsa LDK-së 20 ulëse, AAK-NISMA me 8 deputetë dhe Lista Serbe 9 sosh.
Presidentja Osmani e ka caktuar 15 prillin, si datë për seancën konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Gjatë kësaj seance zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, dhe deputetët e rinj bëjnë betimin.
Seanca e parë udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i riu në sallën e Kuvendit.
Kryetarin e Kuvendit e propozon grupi më i madh parlamentar, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, siç përcaktohet në nenin 67 të Kushtetutës. Ai zgjidhet me shumicë të votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).
Deputetët duhet t’i zgjedhin edhe 5 nënkryetarë të Kuvendit, 3 prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, kurse dy nga komunitetet joshumicë.
Ndërsa legjislatura e re e Kuvendit detyrë të radhës ka zgjedhjen e Qeverisë, presidentja i fton partitë politike parlamentare për konsultime.
Ajo më pas, siç parasheh pika e parë e nenit 95 të Kushtetutës, “i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”.
Kandidati i caktuar për formimin e qeverisë më pas duhet ta paraqesë përbërjen e Qeverisë para deputetëve “jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë”, pasi të jetë mandatuar, thotë pika e dytë.
Sikurse edhe kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, Qeveria zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).
Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, presidentja “brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë”, parasheh Kushtetuta.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidentja “i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thotë pika 4 e nenit 95 të Kushtetutës./Reporteri.net/