Një punonjës ka vdekur dhe një tjetër është lënduar si pasojë e shembjes së dheut në një punishte, në lagjen Veternik të Prishtinës.
Në vend të ngjarjes është Policia dhe ekipi i zjarrfikësve të cilët janë duke intervenuar.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka konfirmuar se një person ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i lënduar.
Borovci ka njoftuar se i lënduari është dërguar për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Sot rreth orës 13:00, është pranuar informacioni se dy persona janë zënë nga shembja e dheut në një vendpunishte në rrugën “Gjilani” në lagjen Veterniku në Prishtinë. Nga informacionet e para është bërë e ditur se njëri nga ta është nxjerrë nga aty dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK, ndërkaq fatkeqësisht, tjetri, mashkull, rreth 40 vjeç, është konstatuar pa shenja jete, nga ana e mjekëve emergjent”.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe në koordinim me prokurorin e shtetit si dhe mekanizmat e tjerë të nevojshëm po vijon punën për sqarimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë ai. /Reporteri.net/.