×
  • Lajme
  • Lajme / Përfaqësuesja e Lartë e BE-së

    Kallas: Jemi duke i analizuar gabimet e dialogut Kosovë-Serbi

    Reporteri
    07 Prill 2025 | 13:15

    Bashkimi Evropian është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje, tha të hënën në Podgoricë shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas.

    E pyetur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha gjatë një konference për media se “ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi” së bashku me të dërguarit e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili e mori detyrën në shkurt.

    “Çfarë është me rëndësi për neve është normalizimi i marrëdhënieve, sepse pa këtë asnjëra nga to nuk mund të ecë përpara ne rrugën drejt BE-së”, tha Kallas.

    Kallas nuk dha më shumë hollësi se cilat mendon që ishin gabimet apo çfarë nuk ka shkuar deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku.

    Me gjithë dialogun e zhvilluar ndër vite dhe nënshkrimin e marrëveshjeve, procesi ka ngecur dhe tensionet janë rritur.

    Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.

    Kallas për REL, ka thënë se Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër.

    “Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me përfaqësuesin e Posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen] në ditët në vijim”, kishte thënë Kallas.

    Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

    Me vizitën në Podgoricë, Kallas e nisi turin zyrtar në shtetet e Ballkanit Perëndimor – të parin në rajon në cilësinë e saj si shefe e diplomacisë evropiane.

    Nga nga 7 deri më 9 prill, Kallas do të qëndrojë edhe Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!