×
  • Lajme
  • Lajme

    Pranohet me shkrim deklarata e një dëshmitari në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    07 Prill 2025 | 16:49

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është pranuar në prova materiale dëshmia e dëshmitarit me kodin W01605.

    Vendimi është marrë më 3 prill 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas vendimit, më 13 shtator 2024 ishte konstatuar se dëshmia e këtij dëshmitari ishte e përshtatshme për t’u pranuar sipas Rregullës 154. Ndërsa, më 14 mars 2025, ZPS-ja kishte paraqitur kërkesë për pranimin e kësaj deklarate sipas Rregullit 153, e që mbrojtja nuk kishte dhënë përgjigje në të.

    Që nga paraqitja e kërkesës për pranimin e dëshmisë së këtij dëshmitari sipas Rregullës 154, ZPS-ja ka thënë se ekzistojnë rrethana që çuan në paraqitjen e kësaj kërkese për pranimin e dëshmisë së tij në bazë të Rregullës 153.

    ZPS-ja ka thënë se kjo dëshmi përveç Rregullës 153, i përmbush edhe kushtet e Rregullës 138.

    Trupi gjykues ka vlerësuar se deklarata e W01605 përmban dëshmi që janë mbështetur edhe nga dëshmitarë të tjerë të cilët tashmë mbrojtja e të akuzuarve e ka pasur mundësinë që t’i ballafaqojë.

    Veç kësaj, në vendim thuhet se deklarata nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve siç është përshkruar në aktakuzë.

    Aty thuhet se trupi gjykues është i bindur se deklarata e këtij dëshmitari në parim ka vlerë provuese dhe se kërkesa për një gjykim të drejtë dhe të shpejtë e justifikojnë pranimin e saj pa kundërpyetje nga mbrojtja.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!