Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka refuzuar të flasë për ftesën për konsultim që i bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e i cili gjatë ditës së djeshme e refuzoi.
Kurti u pyet për këtë çështje gjatë homazheve në Koshare, por refuzoi të komentojë.
Gjatë ditës së djeshme kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e kryetarit të VV-së, njëherit kryeministër në detyrë, Albin Kurtit, për takim konsultativ për formimin e Qeverisë dhe Kuvendit, shkruan Reporteri.net.
Mirëpo, ka thënë se LDK e pret dhe e mbështet konstituimin e Kuvendit më 15 prill dhe se nuk do të ketë pengesë.
“Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik. Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë”, ka shkruar Abdixhikiu ndër të tjera.
Fesa për takim Abdixhikut i kishte shkuar dy ditë më herët.
Kurti për takimin me Abdixhikun kishte caktuar dy orare, më 9 prill në ora 15:00, dhe 10 prill në ora 09:00 ose 14:00.
“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhej në letrën që Kurti ia ka dërguar Abdixhikut.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar 15 prillin si datë ku do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit./Reporteri.net/