×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Presidentja Osmani pret në takim një delegacion nga Britania e Madhe, diskutojnë për marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes

    Reporteri
    09 Prill 2025 | 10:12

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion nga Mbretëria e Bashkuar, të udhëhequr nga deputeti Alex Sobel dhe anëtarja e “City Leaders”, Cllr Helen Hayden.

    Nga Presidenca njoftojnë se gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me fokus në sektorët që kanë interes të ndërsjellë dhe për mundësitë konkrete të avancimit të projekteve të përbashkëta.

    Në këtë kontekst, u diskutua edhe për hapat që po ndërmerren pas iniciativës së Presidentes për një marrëveshje bashkëpunimi strategjik në fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë, e cila është mirëpritur nga Sekretari i Mbretërisë së Bashkuar.

    Presidentja Osmani, me këtë rast, nënvizoi se përmes kësaj marrëveshjeje synohet forcimi i mëtejshëm i lidhjeve mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe sektorë të tjerë strategjikë, për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të gjithanshëm të dy shteteve.

    Javën e kaluar presidentja, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Lammyt i cili qëndroi në Kosovë, i ka propozuar lidhjen e marrëveshjes për thellim strategjik të bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.

    Ajo e vlerësoi faktin që ky propozim është mirëpritur nga Lammy dhe tha se ky hap do të kontribuojë jo vetëm në forcimin e sigurisë së Kosovës, por edhe në avancimin e industrisë së Mbrojtjes së Britanisë së Madhe. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!