Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas regjistrimit si deputet, ka thënë se LDK’ja s’ka ndryshuar qëndrimin që e ka pasur edhe para fushatës, por edhe gjatë fushatës sa i përket një bashkëpunimi të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Reproteri.net.
Abdixhiku të mërkurën refuzoi ftesën e kreut të VV’së, Albin Kurtit për një takim konsultues, duke ia kujtuar gjuhën ofenduese që Kurti kishte përdorur ndaj opozitës.
“Qëndrimet janë të njëjtë si para fushatës, si gjatë fushatës, si pas fushatës”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se ia njohin të drejtën VV’së që të provojë ta bëjë shumicën, mirëpo nëse Kurti s’do të arrijë të krijojë një shumicë për zgjedhjen e Qeverisë, ka shtuar se Kushtetuta ia njeh të drejtën secilës parti që të provojë të krijojë shumicën dhe të krijojë Qeverinë nëse e dëshmon para presidentes që ka mjaftueshëm vota.
“E njohim të drejtën e plot të partisë së parë që të provojë bëjë shumicën. Nëse jo, pas 15 ditëve, Kushtetuta ia njeh të drejtën secilës parti që dëshmon para presidentes që mund ta bëjë shumicën që ta bëjë një gjë të tillë. S’kemi mbërri në atë pikë. Do të jem transparent kur të mbërrijmë aty”, ka shtuar tutje Abdixhiku.
Ndryshe, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë sot para gazetarëve se nuk kanë marrë ndonjë ftesë tani për tani për takim nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ai ka thënë se janë vazhdimisht në bisedime me partitë tjera opozitare për formimin e qeverisë në rast se Vetëvendosje s’arrin ta formojë qeverinë si fituese e zgjedhjeve.
Ai tutje ka thënë se në rast të dështimit potencial të VV-së për krijim të qeverisë, janë të gatshëm ka krijojnë qeverinë.
“Pas dështimit potencial të partisë së parë me e themelu qeverinë e re, ne shumë shpejt besoj do të jemi të gatshëm me iu ofru qytetarëve dhe vendit një qeveri të re”, tha Krasniqi.
I pyetur se a do ta votojë PDK-ja kandidatin për kryetar të Kuvendit që propozohet nga VV-ja, Krasniqi ka lënë të kuptohet se kjo nuk do të ndodhë.
“Nuk është nevoja me votu gjithsesi na sepse Kuvendi asnjëherë s’ka pas telashe për konstituim sa i përket kryetarit të Kuvendit. Më 15 na takon me u propozu kryetari i Kuvendit edhe me vazhdu. Pse me ja dhanë votat e PDK-së- pra edhe nëse ne se kemi votu kryetari është votu kshtu që janë bë 61 vota. Duhet pasur respektim të qytetarëve e të Kushtetutës”, tha ai para mediave./Reporteri.net
Krasniqi: Nëse VV-ja dështon, shumë shpejt jemi të gatshëm ta formojmë qeverinë e re