×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Kallas të hënën informon kryediplomatët e shteteve evropiane rreth dialogut Kosovë-Serbi

    Reporteri
    11 Prill 2025 | 23:44

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, të hënën do t’i informojë ministrat e Jashtëm të BE-së, për zhvillimet më të fundit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në këtë takim, Kallas dhe ministrat do diskutojnë edhe mbi marrëdhëniet e BE-së me partnerët e Ballkanit Perëndimor, e ku në fokus do të jenë mënyrat për të forcuar më tej bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përballë sfidave politike, si dhe për të nxitur stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

    Përveç kësaj, ashtu edhe siç bëhet e ditur në njoftim, ministrave, Kallas do tu flasë edhe për vizitën e saj të fundit në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë.

    “Përfaqësuesja e Lartë do t’i informojë ministrat rreth vizitave të saj së fundi në Malin e Zi, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë, si dhe rreth zhvillimeve të fundit në dialogun Kosovë-Serbi”.

    Në njoftim shtohet se diskutimi që do të pasojë pritet të fokusohet në aspekte të ndryshme të marrëdhënieve, veçanërisht stabilitetin dhe sigurinë rajonale, zhvillimet në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, si dhe bashkëpunimin me aktorët kyç në rajon.

    Ndryshe, ky takim i Këshillit të Punëve të Jashtme do të nisë në orën 08:00, dhe do të zhvillohet në Luksemburg. I njëjti do të kryesohet nga vetë përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kallas.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!