Kryeministri në detyrë Albin Kurti, njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje as sot nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse i ka votat për formimin e Qeverisë apo jo, shkruan Reporteri.net.
Pasi u përurua pikëkalimi i përbashkët “Hani i Elezit – Bllacë”, Kurti u pyet nga gazetarët nëse i ka numrat për formimin e Qeverisë kur kanë mbetur edhe tre ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit që mbahet më 15 prill.
Por, Kurti as sot nuk e tha asnjë fjalë të vetme për këtë temë. Ai iku dhe hyri në veturë, dhe nuk tregoi nëse i ka votat për kryeministët dhe për ta formuar Qeverinë.
Megjithatë Kurti nuk hezitoi fare të flasë për një mbledhje të përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut që ishte mbajtur në muajin nëntor të vitit të kaluar e sipas tij, ajo solli rezultat konkret sot me hapjen e pikëkalimit në Bllacë.
“Mbledhja e dy qeverive ka qenë në nëntor, ju po e shihni sa shpejt e mirë është realizuar në prill, urime të gjithëve. Besoj që kjo mbledhje që kemi mbajtur në nëntor në Prishtinë, mes dy qeverive, ka qenë vendimtare me protokollin e zbatimit për një realizim konkret, praktik dhe të shpejtë”, ka thënë ai.
Kujtojmë se presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 15 prillin, si datë për seancën konstituive e Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Lajmin e ka konfirmuar Presidenca e Kosovës, përmes një postimi në faqen zyrtare.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025”, thuhet në njoftim.
/Reporteri.net/.