×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj përkujton të vrarët në Studenicë e Ferizaj: Liria që gëzojmë sot u pagua me një çmim të madh

    Reporteri
    13 Prill 2025 | 10:14

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar viktimat e masakrave të prillit në Studenicë të Istogut dhe Fshatin e Vjetër të Ferizajt.

    Ai, duke kërkuar drejtësi për viktimat e terrorit serb, theksoi se liria u pagua me gjak dhe se Serbia duhet të përballet me krimet e saj.

    ”Liria që gëzojmë sot u pagua me një çmim të madh. Shumë familje humbën më të dashurit e tyre nga terrori shtetëror serb, i cili kishte për qëllim shfarosjen e një populli të tërë. Armiku nuk kurseu as foshnjat, as fëmijët në prehër të nënave, pleqtë e të pambrojturit.

    Në fshatin Studenicë të Istogut, muaji prill sjell kujtime të dhimbshme për nëntë bashkëkombas të vrarë në mënyrën më barbare nga regjimi kriminal serb – tetë anëtarë të familjes Lipaj dhe një nga familja Zeqiraj. Të rrethuar në shtëpi nga forcat serbe, ata u nxorën në oborr dhe u ekzekutuan nga afërsia. Pas vrasjes, trupat e tyre u hodhën në një bunar pranë shtëpisë, të cilin armiku më pas e shkatërroi për të zhdukur gjurmët e krimit.

    Armiku nuk u ndal. Në të njëjtën ditë, në Fshatin e Vjetër të Ferizajt, forcat serbe ekzekutuan shtatë anëtarë të familjes Zeka dhe dy të familjes Hoxha.

    Edhe sot, pas më shumë se dy dekadash, drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj për të dënuar ekzekutorët e këtyre krimeve barbare. Shteti serb duhet të ballafaqohet me krimet e veta.

    Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!