×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjermania ngushton Rregulloren e Ballkanit për punëtorët, Kosova mes vendeve të prekura

    Reporteri
    13 Prill 2025 | 10:50

    Në Gjermani është arritur një marrëveshje e re për formimin e qeverisë së ardhshme, nën drejtimin e kancelarit të pritshëm Friedrich Merz (CDU).

    Në qendër të kësaj marrëveshjeje janë politikat e reja të migracionit, kufizimi i ndjeshëm i Rregullores së Ballkanit Perëndimor dhe ndryshimet në ligjin për shtetësinë.

    Sipas kontratës qeverisëse, kuota vjetore për leje pune për qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të përgjysmohet – nga 50.000 që u vendos vitin e kaluar, në 25.000.

    Kjo prek drejtpërdrejt qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

    Ekspertët argumentojnë se sistemi i migracionit duhet të bazohet më shumë në kualifikime profesionale sesa në origjinën gjeografike.

    Migracioni: Kontrolle dhe kthime

    Po ashtu, do të ashpërsohen rregullat për marrjen e shtetësisë gjermane: në të ardhmen, ajo nuk do të mund të merret më pas tre vitesh qëndrimi, por vetëm pas pesë vitesh.

    Masat përfshijnë gjithashtu ndalimin e bashkimeve familjare për disa kategori refugjatësh dhe përfundimin e pranimeve vullnetare, përfshirë për ata nga Afganistani.

    Kancelari i ardhshëm Friedrich Merz e përshkroi marrëveshjen si një “sinjal të fortë për Evropën”, duke shtuar se “Gjermania është në rrugën e duhur”, se “Evropa mund të mbështetet te Gjermania”, dhe – në drejtim të presidentit amerikan Donald Trump – se Gjermania do të përmbushë detyrimet në fushën e mbrojtjes dhe do të rrisë konkurrueshmërinë e saj.

    Përtej migracionit, sipas Deutsche Welle, marrëveshja parashikon masa për të ringjallur ekonominë gjermane pas tre vitesh recesion: ulje taksash për sipërmarrjet, përjashtim nga tatimi i orëve shtesë të punës dhe më shumë fleksibilitet për pensionistët që duan të punojnë.

    Ndërkohë, Ballkani Perëndimor mbetet në axhendën ndërkombëtare të Berlinit. Procesi i Berlinit do të vijojë si platformë për mbështetjen e vendeve të rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian./KlanKosova/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!