×
  • Lajme
  • Lajme / Homazhe

    Kurti: Rënia heroike e dëshmorëve dhe martirëve u shndërrua në ngritje sublime për kombin tonë

    Reporteri
    13 Prill 2025 | 19:09

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti thotë se rënia heroike e dëshmorëve dhe martirëve tanë u shndërrua në ngritje sublime për një ardhmëri gjithnjë e më të ndritshme, të shtetit, popullit, shoqërisë dhe kombit tonë mbarë, duke u bazuar në idealet e rilindasve dhe në dëshirat e rinisë, nevojat e popullsisë dhe ëndrrat e fëmijëve, shkruan Reporteri.net.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar se sot ka bërë homazhe në 26 vjetorin e rënies së Dalip Behrës dhe Bekim Gashit në Kompleksin përkujtimor të dëshmorëve dhe në vendin e rënies së tyre në Rreze të Krushës së Madhe, dhe më pas në Sllatinë të Kaçanikut, ku më 13 prill 1999, forcat e Serbisë kishin rrethuar lagjen e Vatës dhe fshatin Sllatinë dhe vran mizorisht gjashtë dëshmorë.

    Postimi i tij:

    Brezat e ndryshëm e formojnë historinë dhe trasojnë rrugën për të ardhmen. Ne e përkujtojmë përherë sa i madh ishte çmimi i lirisë, sa e lartë ishte sakrifica, por edhe sa fisnike është përgjegjësia e jonë teksa e vazhdojmë rrugën e tyre.

    Në 26 vjetorin e rënies së Dalip Behrës dhe Bekim Gashit, bëmë homazhe në Kompleksin përkujtimor të dëshmorëve dhe në vendin e rënies së tyre në Rreze të Krushës së Madhe. Si pjesëtarë të Brigadës 124 të zonës operative të Pashtrikut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata bënë krejt çfarë ditën e mundën dhe dhanë krejt çfarë patën, edhe jetën e tyre, në mënyrë që ne të jetojmë të lirë dhe ta gëzojmë shtetin tonë si republikë.

    Vazhduam më tej drejt Sllatinës në Kaçanik, ku më 13 prill 1999, forcat e Serbisë kishin rrethuar lagjen e Vatës dhe fshatin Sllatinë. Aty humbën jetën dhe u vranë mizorisht 6 dëshmorët: Hysen Elezi, Naim Beka, Ramadan Xhokli, Agim Matoshi, Shaban Elezi, Avni Shehu dhe 13 martirët: Qemajl Deda, Rrahman Lami, Shuqeri Alili, Brahim Lami, Sabri Salijaj, Hebib Lami, Kemajl Salijaj, Mahmut Caka, Izahir Salijaj, Jakup Caka, Nazmi Elezi, Ilir Caka dhe Dr. Vesel Elezi.

    Rënia heroike e dëshmorëve dhe martirëve tanë u shndërrua në ngritje sublime për një ardhmëri gjithnjë e më të ndritshme, të shtetit, popullit, shoqërisë dhe kombit tonë mbarë, duke u bazuar në idealet e rilindasve dhe në dëshirat e rinisë, nevojat e popullsisë dhe ëndrrat e fëmijëve.

    Lavdi për të gjithë dëshmorët e martirët e kombit shqiptar!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!