×
  • Lajme
  • Botë

    Mijëra këpucë vendosen në sheshin në Leiden të Holandës në nder të fëmijëve të vrarë në Gaza

    Reporteri
    14 Prill 2025 | 10:47

    Një ngjarje përkujtimore është mbajtur edhe një herë në qytetin holandez Leiden për të nderuar fëmijët palestinezë të vrarë në sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Gaza, raporton Anadolu.

    Ngjarja, e organizuar nga grupi holandez ‘Plant een Olijfboom’, u zhvillua në sheshin ‘Beestenpark’, ku u vendosën mijëra palë këpucë fëmijësh për të simbolizuar jetët e të rinjve të humbur në Gaza.

    Si pjesë e ngjarjes përkujtimore, vullnetarët lexuan me zë të lartë emrat dhe moshat e fëmijëve të vrarë dhe u shpërndanë broshura kalimtarëve, duke theksuar shkallën e krizës humanitare në Gaza.

    Autoritetet palestineze raportojnë se fëmijët dhe gratë përbëjnë mbi 60 për qind të viktimave nga sulmet e vazhdueshme. Sipas Byrosë Qendrore Palestineze të Statistikave, fëmijët nën 18-vjeç përbëjnë 43 për qind të popullsisë së Palestinës prej 5.5 milionë banorësh, me 2.1 milionë njerëz që banojnë në Gaza.

    Lufta ka prekur fëmijët e të gjitha moshave, nga fetuset në barkun e nënës së tyre, tek foshnjat e lindura para kohe në inkubatorë dhe fëmijët nën moshën një vjeç.

    Byroja e Statistikave raportoi se 17.954 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftës, duke përfshirë 274 foshnja, si dhe 876 fëmijë të tjerë nën moshën 1-vjeçare.

    Më 1 prill, UNICEF raportoi se 322 fëmijë u vranë dhe 609 u plagosën që kur Izraeli rifilloi ofensivën e tij pas prishjes së armëpushimit më 18 mars.

    Më shumë se 50.900 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza në sulmet brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023.

    Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

    Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë./Anadolu/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!