Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se partia që ai drejton e ka në princip votimin e Kryetarit të Kuvendit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Haradinaj u pyet edhe për raportet me NISMA, për të cilët tha se s’ka pasur komunikim që nga deklarimi i fundit i Fatmir Limajt.
Ai tha se nëse NISMA mbështet pushtetin, siç tha ai i bie të ndahen edhe nga AAK-ja, një ndarje që kreu i kësaj partie e quajti “të turpshme”.
“Ne në princip votojmë kandidatin për kryetar të kuvendit, kuptohet se do të bëjmë konsulta me partitë tjera opozitare, PDK dhe LDK, por besoj që konstituimi i kuvendit është në interes të të gjithëve më pastaj sikurse e dini Aleanca angazhohet dhe punon që Qeverinë ta krijojë opozita në rast të pamundësisë së krijimit të shumicës nga pozita”, tha ai.
“S’kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e zotit Limajt. Ka qenë shumë e vështirë pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu, pozicionimi i hershëm i tij e ka bë edhe më të vështirë, ka qenë i parakohshëm. Nëse NISMA dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne dhe është ndarje mjaft e turpshme sepse ne kemi kërku votë për ndryshim dhe sjellja e tyre është mjaft e turpshme”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se është e turpshme sjellja e Limajt, ndërsa shtoi se i ka shprehur shqetësimin e tij edhe përmes një shkrese.
“I kam bërë një shkresë ku i kam shprehur shqetësimin për pozicionimin e hershëm, të parakohshëm e të befasishëm që e ka vështirësu pastaj krijimin e shumicës nga opozita. Është ndarje e turpshme nga ana e tij, pasi kemi shkuar në gjithë Kosovën, kemi kërkuar votë për ndryshim”, shtoi tutje Haradinaj.
“ME VV-në e kemi vetëm një kërkesë, ata me dalë në opozitë, për opozitën asnjë kusht”, shtoi tutje Haradinaj.
/Reporteri.net/