×
  • Lajme
  • Lajme / Vendimi

    Prokuroria pushon hetimet në rastin “Visametric”, Gjykata ia kthen dorëzaninë prej 15 mijë euro pronarit të kompanisë

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 18:12

    Në procesin penal ndaj Serdal Ozdemir- pronar i kompanisë “Visametric”, i dyshuar për veprën penale “Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pushuar hetimet. Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë me kërkesë të mbrojtësi të Ozdemir, avokatit Kushtrim Palushi, ia ka kthyer shumën e lënë dorëzani si masë të sigurisë prej 15 mijë euro.

    Sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, fillimisht thuhet se më 26 qershor 2023, ndaj Ozdemirit ishte caktuar masa e dorëzanisë në shumën prej 15 mijë euro.

    Ndërkaq, më 28 mars 2025, pranë Gjykatës, avokati Palushi ka paraqitur kërkesë për kthim të dorëzanisë, me arsyetimin se ndaj Ozdemir kanë pushuar hetimet dhe se kërkesës për kthim të dorëzanisë i ka bashkëngjitur edhe aktvendimin për pushim të hetimeve.

    Andaj, Themelorja pas vlerësimit të shkresave të lëndës dhe analizimit të dispozitave ligjore, ka gjetur se Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 mars 2025 ka marrë aktvendim për pushim të hetimeve ndaj Serdal Ozdemir dhe vetë personit juridik “Visametric” për veprën penale “Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”.

    “Gjykata pas vlerësimit të kërkesës, shkresave të lëndës dhe analizimit të dispozitave ligjore, gjeti se kërkesa e mbrojtësi është e bazuar, ngase nga provat del se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka marrë Aktvendim me shenjën… datë: 7.03.2025 mbi pushimin e hetimeve, ndaj të pandehurve “Visametric L.L.C me numër…. si dhe Serdal Ozdemir nga Lipjani për shkak të veprës penale secili veç e veç: “Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore” nga nenin 394 paragrafi 2 lidhur me nenin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

    Ndryshe, më 18 maj 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte pranuar kallëzim penal ndaj kompanisë “VisaMetric” së cilës Gjykata Komerciale e Kosovës ia kishte ndaluar që të marrë nga 30 euro për shërbime postare për pasaportat e qytetarëve.

    Kurse, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), më 27 prill 2023, kishte bërë të ditur se qytetarët të cilët janë ankuar për shërbimet dhe pagesat e realizuara tek operatori “VisaMetric” për aplikim për viza “Schengen” për Gjermani, e të cilat Inspektorati i Tregut i ka konstatuar si shkelje, do të rimbursohen.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!