Katër gazetarë rusë janë dënuar nga një gjykatë në Moskë me nga 5 vjet e gjysmë burgim secili për lidhje me Fondacionin Kundër Korrupsionit (FBK) të udhëheqësit opozitar të ndjerë, Aleksei Navalnyt. Autoritetet ruse e kanë shpallur këtë Fondacion “organizatë ekstremiste”.
Gazetarët — Antonina Favorskaya, Sergei Karelin, Konstantin Gabov dhe Artyom Kriger — u shpallën fajtorë pas një gjykimi të mbyllur për publikun, për kontributet e tyre në kanale në YouTube të lidhura me FBK-në përpara se ajo të ndalohej në vitin 2021.
Gjykata më 15 prill ua ndaloi gjithashtu të pandehurve të punojnë si gazetarë për tre vjet pas lirimit të tyre nga burgu.
Pas shpalljes së vendimit dhe dënimeve, mbështetësit e gazetarëve filluan të duartrokasin dhe të thërrasin: “Jeni më të mirët!”
Kriger u tha mbështetësve të tij se “gjithçka do të jetë në rregull, mos u shqetësoni, herët apo më vonë e gjitha kjo do të përfundojë. Ata që më dënuan mua, me siguri do të dënohen vetë”.
Të katër gazetarët kanë mohuar vazhdimisht akuzat e ngritura ndaj tyre.
Gjykimi, i cili filloi në fillim të tetorit të vitit 2024, u mbajt prapa dyerve të mbyllura, ndërsa mbështetësve dhe gazetarëve iu lejua të marrin pjesë vetëm në shpalljen e vendimit dhe dënimeve.
Favorskaya dhe Kriger janë reporterë për median e pavarur SOTAVision, e cila vetë është etiketuar si një “agjent i huaj” nga qeveria ruse.
“Gazetaria e pavarur barazohet me ekstremizëm”
Gabov dhe Karelin janë gazetarë të pavarur që kanë kontribuar për organizata të mëdha ndërkombëtare të medias, përfshirë Reuters dhe Associated Press. Gabov gjithashtu ka kontribuar për shërbimin në gjuhën ruse të Radio Evropa e Lirë.
“Nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë partie politike dhe gjithmonë e kam konsideruar detyrën time si gazetar të shpreh objektivisht opinionet e njerëzve me pikëpamje të ndryshme për t’i ndihmuar ata të dëgjohen nga autoritetet”, tha Gabov në deklaratën e tij përfundimtare për gjykatën.
“Gazetaria e pavarur [në Rusi] barazohet me ekstremizëm”, shtoi ai.
Karelin theksoi në deklaratën e tij përfundimtare se kanali me të cilin akuzohet se ka bashkëpunuar nuk ishte shpallur ekstremist në kohën kur ai kontribuoi në të.
“Pendimi konsiderohet si një rrethanë lehtësuese. Janë kriminelët ata që duhet të pendohen për atë që kanë bërë. Por, unë jam në burg për punën time, për qëndrimin e ndershëm dhe të paanshëm ndaj gazetarisë, për dashurinë për familjen dhe vendin tim,” tha ai në një deklaratë të shkruar për gjykatën.
Prokuroria kishte kërkuar deri në gjashtë vjet burgim për secilin nga të pandehurit. Gjykimi ishte i mbyllur për publikun, me autoritetet që justifikuan këtë masë duke cituar paralajmërimet nga Qendra Ruse për Luftën kundër Ekstremizmit, e cila pretendonte se FBK-ja mund të përpiqej të ndërhynte në proces.
Dënimi është pjesë e një shtypjeje më të gjerë ndaj gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të mëparshëm të Navalnyt, i cili vdiq në burg në shkurt të vitit 2024 në rrethana të diskutueshme, ndërsa po vuante një dënim prej 19 vjetësh burgim mbi akuza që gjerësisht konsiderohen të motivuara politikisht.
Vdekja e tij shkaktoi zemërim ndërkombëtar dhe intensifikoi vëmendjen ndaj trajtimit që Rusia u rezervon të burgosurve politikë dhe mediave të pavarura.
Organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë se dhjetëra gazetarë janë aktualisht të ndaluar në Rusi mbi akuza të ngjashme, ndërsa qeveria vazhdon të forcojë kontrollin ndaj zërave kritikë./REL