Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e mirëpret përgjigjen që Presidentja Vjosa Osmani i ktheu Kuvendit, ku kërkoi nga deputetët që të mblidhen nesër për vazhdimin e seancës konstituive.
Abdixhiku ka thënë se nesër sërish do të kërkojnë “dorëheqjen e gjithë atyre që me zor duan t’i mbajnë dy poste përjashtuese në të njëjtën kohë”, duke aluduar për Albin Kurtin dhe ministrat, shkruan Reporteri.net.
“Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë”, ka shkruar Abdixhiku.
Në letrën që e ka siguruar Reporteri.net, Osmani u ka kërkuar deputetëve që Kuvendi të mblidhet nesër.
“Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi.”, thuhet në letër.
Në fund të letrës, Osmani ka shprehur gatishmërinë që të takojë kryetarët e partive politike parlamentare për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme.
“Në përmbyllje të kësaj letre, si Presidente e vendit dhe Kreu i Shtetit, në kuadër të kompetencave kushtetuese përkitazi me nenin 4, paragrafi 3 dhe nenin 84, paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shpreh gatishmërinë time që t’ju mirëpres juve dhe kryetarët e partive politike parlamentare për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme”, theksohet në letër./Reporteri.net