×
  • Lajme
  • Lajme / "Asnjë cent ma shumë"

    Paralajmërohet masivizim i protestave kundër shtrenjtimit të rrymës: Jemi të gatshëm të bllokojmë rrugë e institucione nëse s’ka reflektim

    Reporteri
    18 Prill 2025 | 12:37

    Grupi ‘’Asnjë cent më shumë’’ në një konferencë për media gjatë ditës së sotme, kanë paralajmëruar masivizim të protestave kundër shtrenjtimit të rrymës. Ata kanë thënë se kjo nënkupton edhe përshkallëzim, në rast se nuk tërhiqet vendimi për shtrenjtim.

    Një protestë njoftuan ata se do të mbahet nesër, pikërisht në kohën kur edhe pritet të nisë seanca konstituive e Kuvendit, shkruan gazeta online Reporteri.net

    Nga aty ata thanë se do t’u bëjnë thirrje deputetëve të ardhshëm që sapo të konstituohet Kuvendit, të thirret për raportim në Komisionin për Energji ZRRE.

    “Ne jemi në vazhdimësi duke u marrë deri kur përfundimisht të pezullohet vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike, që është marrë në mënyrë krejt jolegjitime nga ZRRE. Nesër do të jetë protesta e radhës, nga ora 12:00. Zëri i qytetarëve është e rëndësishme të mos ndalet në asnjë moment.

    “Nesër ka qëllu që do të jetë edhe seanca e Kuvendit. Prej këtij sheshi do tu bëjmë thirrje deputetëve që ta shtyjmë këtë proces dhe në momentin kur të konstituohet Kuvendi të thirret në Komision, Zyra e Rregullatorit për Energji. Nëse edhe pas ditës së nesërme nuk ka reflektim, jemi të detyruar t’i masivizojmë protestat, e ky masivizim nënkupton edhe përshkallëzim. Nuk jemi të lumtur ta themi këtë, nuk jemi për përshkallëzim, por ne do të bllokojmë edhe rrugë, edhe institucione që zëri ynë të dëgjohet. Sot u paralajmërua edhe rritja e çmimit të miellit dhe të produkteve të tjera, prandaj është shumë e rëndësishme që qytetarët të dalin në protestë”, thanë ata para mediave.

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë  gjatë kësaj jave e ka aprovuar shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind për periudhën 1 maj deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

    Caktimi i tarifave për 2025-2026 u bë pasi që më 11.04.2025 ZRRE vendosi që qytetarët e Kosovës të paguajnë rreth 16% më shtrenjtë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë.

    ZRRE ka bërë me dije se rritja është për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!