×
  • Lajme
  • Lajme / Nesër në ora 15:00

    Dështimi për zgjedhjen e Kryeparlamentarit, seanca vazhdon të hënën

    Reporteri
    20 Prill 2025 | 9:16

    Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur Kryeparlamentare, Albulena Haxhiun, ka dështuar të shtunën e 19 prillit. Kryesuesi i kësaj seance, Avni Dehari njoftoi se seanca do të vazhdojë sërish të hënën në ora 15:00.

    Albulena Haxhiu në të dyja votimet mori 57 vota të deputetëve, nga 61 sa nevojiteshin, ndërsa 20 prej tyre ishin kundër dhe tre abstenuan, nga 115 deputetë që ishin në sallë.

    Pas seancës, Haxhiu tha para gazetarëve se edhe të hënën emri i saj do të propozohet, ndërsa akuzoi partitë tjera politike që sipas saj po i mbajnë bllokuar institucionet e vendit.

    “Së pari më lejoni të falenderoj 57 deputetë që më mbështetën që të jem kryetare e Kuvendit, duhen edhe 4 vota. Pra, nga të gjithë deputetët, 61 duhet të jenë për. Siç e kuptuat, seanca u peuzullua, brenda 48 orëve u thirr seanca e radhës, Kuvendi nuk kunstitohet pa u zgjedhë kryetari dhe nënkryetarët. Ne ishim gati të vazhdojmë me procedurat e mëtejme, mirëpo duket që opozita po e mban të bllokuar Kuvendin sepse nuk e mbështeten propozimin e VV-së. I përket VV-së ta bëjnë propozimin e radhës, do të jetë emri i njëjtë, faleminderit”, tha ajo të shtunën.

    Albulena Haxhiu: Do të jem sërish unë emri i propozuar për Kryeparlamentare

    Për PDK-në, ora e themelimit të institucioneve të reja veçse ka nisur, dhe se janë të gatshëm t’i formojnë ato, nëse veç dështon LVV-ja.

    Kjo parti ka njoftuar se ia njeh të drejtën partisë së parë që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Megjithatë, PDK-ja ka thënë se përgjegjësia e parë i takon Vetëvendosjes për themelimin e institucioneve, por sipas saj, përgjegjësia s’është e përhershme te VV-ja.

    LDK-ja në një deklaratë të lëshuar tha se “Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar institucionet e reja të vendit”.

    “Kushdo që pretendon qeverisjen e vendit, duhet të sigurojë minimalisht 61 vota. Çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa këtë shumicë përfaqëson cenim të demokracisë dhe shkelje të rregullave të lojës parlamentare”, thuhej në deklaratën e LDK-së.

    Një votë që u diskutua gjatë ishte ajo e Duda Baljes, e cila as nuk mori pjesë në votim, ndërsa të shtunën ajo deklaroi se tashmë kishin vendosur që të ishin pjesë e opozitës.

    Balje ka thënë se ajo në fakt për këto katër vite ka qenë thuajse në opozitë, për shkak se siç është shprehur se nuk ka pasur aspak bashkëpunim të mirë me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Flet Duda Balje: Sot si parti e kemi vendosur që të shkojmë në opozitë

    Pas dy dështimeve të shtunën, nga VV-ja dolën me propozimin e shpërndarjes së Kuvendit dhe shkuarje në zgjedhje të reja.

    Zyrtari i VV-së, Blerim Sallahu, që në Qeverinë Kurti 2 ka mbajtur pozitën e zëvendësministrit të Drejtësisë, ka thënë se opozita duhet ta votojë kandidaten e tyre dhe më pas me pajtim të gjitha partive të shkohet në zgjedhje të reja.

    “Opozita më në fund ra në linja ligjore dhe kushtetuese për sa i përket votimit të raportit për verifikim të mandatave dhe kuorumit. Pra, ata kanë bërë sjellje jokushtetues, e jo ne. Tash duhet opozita të votojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, meqë edhe na takon sipas Kushtetutës dhe pas kësaj, duhet një pajtim i të gjitha partive politike në formë të shkruar në mënyrë që të shpërndahet Kuvendi dhe të shkojmë në zgjedhje. Kjo është ecje përmes shtratit kushtetues!”, kishte shkruar Sallahu në Facebook.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!