Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha në konferencën për media ka bërë të ditur se 170 zyrtarë policorë kanë marrë pjesë në operacion në zbardhjen e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Qëllimi i konferencës së sotme është që të ju njoftojmë lidhur me një operacion policor i cili është zhvilluar sot në orët e hershme të mëngjesit. Siç e dini edhe ju më datën 1 prill ka ndodhur një vrasje në Kaçanik ku është vrarë rreshteri jonë Muhamed Lika. Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë ka zhvilluar hetime intensive gjatë kësaj kohe. Operacioni është zhvilluar në Kaçanik. Operacioni është kryer me autorizim të Prokurorisë Themelore Gjatë këtij aksioni janë bastisur nëntë lokacione, kryesisht në Kaçanik dhe një në një fshat të Klinës. Gjatë operacionit policor janë arrestuar shtatë persona të dyshimtë, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në planifikim dhe po ashtu ekzekutimin e rreshterit tonë. Të gjithë personat që janë arrestuar janë në proces të intervistimi, Gjatë operacionit nuk ka pasur ndonjë incident. Gjatë operacionit janë sekuestruar dy vetura, telefona celularë, një armë zyrtare, maska, tyta amesh, kapela. Rreth 170 zyrtar policor kanë marrë pjesë në këtë operacion”, tha Hoxha.
Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Burim Çerkini tha se shtatë persona janë arrestuar.
“Shtatë persona janë duke u intervistuar. Sigurisht ata do të shkojnë në mbajtje dhe do të vazhdohet me procedurat. Hetimet do të vazhdojnë edhe për persona tjerë”.
“Është herët të flasim për motivin, motivi kryesor lidhet me punën e tij zyrtare si polic (Muhamed Likës)”, tha Kryeprokurori Çerkini.
Drejtori i Policisë dha detaje për numrin e policëve që kanë marrë pjesë në operacion dhe tregoi se çka është konfiskuar.
“Nuk ka persona nga Policia e Kosovës. Një nga personat e arrestuar është ish-pjesëtar i FSK-së”, tha Drejtori i Policisë.
/Reporteri.net/