×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet

    Disa prej të arrestuarve për vrasjen e policit Muhamed Lika, dyshohet se janë të akuzuarit për djegien e Gjykatës në Kaçanik

    Reporteri
    21 Prill 2025 | 12:09

    Policia e Kosovës sot ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për vrasjen e rreshterit policor Muahmed Lika më 1 prill në Kaçanik.

    Ata dyshohet se janë pjesë e një grupi ekstremist, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Dyshimet e Prokurorisë dhe Policisë janë se Lika u vra për shkak të detyrës zyrtare.

    Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha tha se personat e arrestuar ishin me të kaluar kriminale dhe dyshohet se ishin të përfshirë në rastin e djegies së objektit të Gjykatës.

    “Rreshteri jonë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe mandej ka punaur në mbështetje të hetimeve të të Policisë. Këta janë persona të arrestuar që diusa prej tuyre kanë qenë të përfshirë në rastet e mëhershme që ndërlidhen me pamflete dhe djegien e Gjykatës në Kaçanik. Disa nga ta kanë qenë të arrestuar në këtë rast dhe të njëjtit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në vrasjen e rreshterit.”, tha ai.

    Burim Qerkini, kryeprokuror i Ferizajt tha se të arrestuarit janë ende në procedim penal për djegien e Gjykatës në Kaçanik.

    “Nuk është e vërtet se janë liruar personat për kalljen e Gjykatës. Procedura vazhdon. Mirëpo, nuk ka ndonjë ndërlidhje eksplicite që djegia e Gjykatës ka të bëj me vrasjen.”, tha ai.

    Kujtojmë që në mars të vitit 2024 u dogjën disa zyra të Gjykatës Themelore – Dega në Kaçanik. Lidhur me rastin ishin arrestuar katër persona mes tyre edhe të mitur.

    Ata u akuzuan nga Prokuroria lidhur me zjarrvënien brenda objektit të Gjykatës së Kaçanikut.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 6 qershor 2024, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), thuhet se i akuzuari Elmedin Raka me dashje dhe pas marrëveshjes paraprake me të miturit T. B, M. R. dhe V. T., me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues ka shkatërruar dhe dëmtuar instalime apo pajisje publike, duke qenë me bindje ideologjike vehabiste si dhe duke shpërfaqur urrejtje ndaj institucioneve shtetërore dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, me datën 13 mars 2024, rreth orës 03:42 minuta, kanë shkuar te objekti i Gjykatës Themelore Ferizaj – Dega në Kaçanik.

    Tutje në aktakuzë thuhet se i mituri T. B. dhe i akuzuari Raka, duke përdorur forcën e kanë hapur derën e shkallëve emergjente, kanë arritur në katin e dytë të objektit dhe me një mjet (lloz) metalik kanë hapur dyert e dy zyrave të gjyqtarëve ku në secilën zyre kanë vendosur nga dy shishe me lëndë djegëse, ndërsa nga një shishe e kanë vendosur në hyrje të zyrave, e pastaj duke u larguar ua kanë vu zjarrin shisheve, me c’rast korridori dhe zyrat e lartpërmendura i ka kapluar zjarri dhe janë shkatërruar tërësisht, duke vështirësuar funksionimin e shërbimeve publike.

    Sipas aktakuzës, gjatë kësaj kohe të miturit V.T. dhe M.R. kanë bë roje rreth objektit të gjykatës, e pastaj se bashku kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

    Me këtë i akuzuari Raka në bashkëkryerje me të miturit e ka kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Ndryshe, të miturit e lartcekur janë duke u gjykuar në Departamentin për të Mitur të Gjykatës Themelore të Ferizajt.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!