Të arrestuarit si të dyshuar për vrasjen e rreshtetit Muhamed Lika, sot pritet të dalin para Gjykatës në Ferizaj.
Nga Gjykata Themelore në Ferizaj kanë konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se seanca dëgjimore pritet të mbahet në ora 13;00 dhe ajo do të jetë e mbyllur për publikun.
Shtatë persona kanë rënë në pranga mëngjesin e së hënës përgjatë një operacioni të madh policor në Kaçanik, lidhur me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.
Të arrestuarit u raportua se janë Rejan Bela, Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Çaka.
Ndaj të dyshuarit kryesor për vrasjen e rreshterit Rejan Bela, 18-vjeç, i cili dyshohet se e ka kryer krimin në moshën 17-vjeçare, Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar një muaj paraburgim.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se i mituri ka shtënë me armë zjarri në drejtim të rreshterit Lika në momentin kur ai ndodhej në shkallët e banesës.
Ai kishte qenë i dënuar nga Gjykata e Ferizajt me dy vite me masë institucionale për veprën penale të dhunimit. Këtë dënim e ka konfirmuar edhe Gjykata e Ferizajt.
Në mesin e të arrestuarve ka qenë edhe një ish-pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se dyshimet e para mbi motivin kryesor për vrasjen e rreshterit lidhen me punën zyrtare të të ndjerit. Përgjatë operacionit, policia ka konfiskuar edhe një armë zyrtare.
Hoxha ka thënë se disa prej të arrestuarve kanë qenë të arrestuar edhe më herët, dhe me prirje ekstremiste.
Gjithashtu, Drejtori i Policisë tha se personat e arrestuar ishin me të kaluar kriminale dhe dyshohet se ishin të përfshirë në rastin e djegies së objektit të Gjykatës.
“Këta janë persona të arrestuar që dusa prej tyre kanë qenë të përfshirë në rastet e mëhershme që ndërlidhen me pamflete dhe djegien e Gjykatës në Kaçanik. Disa nga ta kanë qenë të arrestuar në këtë rast dhe të njëjtit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në vrasjen e rreshterit”, tha ai./Reporteri.net/