Një ditë pas ndërprerjes së seancës për zgjedhjen e Kryeparlamentarit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla s’ka pranuar të deklarohet kur është pyetur nëse do të hidhet të mërkurën në votim zgjedhja e Kryeparlamentarit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sveçla tha se tashmë ata janë deklaruar për këtë çështje.
“Ju jeni dëshmitarë për krejt procesin, e dini shumë mirë se çka ka me ndodhë, tashmë veç është deklaru kjo punë”, tha deputeti i VV-së.
Të mërkurën e 23 prillit do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive me fillim në ora 10:00.
Pas seancës të së shtunës ku dështoi dy herë radhazi emri i Albulena Haxhiut i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në seancën e së hënës nuk u hodh në propozim fare.
Glauk Konjufca tha se duke parë deklarimet e partive tjera politike, do të ishte sërish situatë e njëjtë, ku s’do të votohej sërish kandidatura e tyre.
Ai kërkoi kohë shtesë, gjë që u miratua nga Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duke caktuar seancën për të mërkurën.
/Reporteri.net/