×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet

    Del fotografia: Njëri prej të arrestuarve për vrasjen e policit në Kaçanik, shoqërohej me imamin e dënuar për rekrutimin e terroristëve kosovarë në Siri

    Reporteri
    22 Prill 2025 | 17:18

    Disa prej të arrestuarve të hënën në Kaçanik si të dyshuar për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, prej pamjeve të publikuara në rrjetet sociale del se ishin shoqëruar me imamin Zekirija Qazimi, i dënuar për rekrutimin e terroristëve kosovarë në Siri.

    Gazeta online Reporteri.net merr vesh se i dyshuari Diamant Gashi (22 vjeç), bashkë me disa persona të tjerë kishin marrë pjesë në një iftar me imamin Qazimi më datën 8 mars.

    Sipas dosjes së Prokurorisë Diamant Gashi, që në fotografi shihet nën shoqërinë e Qazimit, e kishte strehuar dhe ndihmuar me ushqim dhe gjëra të tjera të dyshuarin për vrasje, Rejhan Bela, i cili në kohën kur dyshohet se kreu krimin ishte minoren, gjegjësisht, ishte 17 vjeç.

    Fotografi nga Iftari

    Gashi po ashtu ishte pjesë aktive e grupit “Rinia Islame Kaçanik”, ku publikonin video propaganduese. Në të njëjtin grup bëjnë pjesë edhe gjashtë të arrestuarit tjerë, të dyshuar për vrasjen e policit Lika.

    Policia e Kosovës të hënën ka arrestuar shtatë persona, të dyshuar për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, ndaj të cilëve sot Gjykata Themelore në Ferizaj ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

    Përveç Gashit në shoqërinë e imamit të dënuar për rekrutimin e terroristëve kosovarë, ishte parë edhe i dyshuari tjetër, Rilind Murati.

    I dyshuari në rastin e vrasjes së policit shihej në shoqërinë e imamit të dënuar me 10 vjet burg për terrorizëm

    Kujtojmë se Qazimi kishte vuajtur dënim prej më shumë se 10 vjetësh burgim për veprën e terrorizmit. Ai ishte dënuar për rekrutimin e të rinjve në organizata terroriste që veprojnë në Lindjen e Mesme dhe akuzohej për dy vepra penale: rekrutim për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!