×
  • Lajme
  • Lajme / Video

    “Lufta” mes Komunës dhe “Pastrimit” për faturat e mbeturinave, viktima qytetarët e Prishtinës

    Reporteri
    22 Prill 2025 | 19:37

    Qytetarët e Prishtinës kanë paqartësi që nga muaji janar lidhur me pagesat e faturave të mbeturinave. Komuna po thotë se faturat duhet të paguhen në sportelet e saj, e kompania “Pastrimi” po insiston që adresa për pagesa është tek ta.

    Gazetarja e Reporteri.net, Leonora Kolukaj, ka biseduar me Kryeshefin e Ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Reçicën, për “luftën” që po zhvillohet mes kësaj kompanie dhe komunës, viktimë e së cilës po janë qytetarët.

    Reçica ka thënë se pagesat e mbeturinave duhet të bëhen tek “Pastrimi”.

    “Jo që po thojmë ne, por për arsye se të njëjtat janë të përcaktuara me rregullore. Rregullorja është obligative, sepse është nxjerrë nga vetë Komuna e Prishtinës dhe Asambleja Komunale, që është organi më i lartë”, ka deklaruar ai.

    Sipas tij, me thirrjen që po bën komuna, po dëmtohen edhe qytetarët edhe ndërmarrja.

    Ai thotë se qëllimi i komunës është falimentimi i ndërmarrjes që të vazhdohet me kompani private.

    “Komuna e ka zgjedhë një rrugë dhe është duke e goditë ndërmarrjen deri në atë pikë që po do me pamundësu me operu. Ideja e tyre është që duhet me vazhdu me operatorë privatë. Ne kemi qenë kundër kësaj, sepse jemi 850 punëtorë.  Në mënyrën qysh ata po dojnë me ba, e falimenton “Pastrimin”. Ne nuk e lejojmë”, thotë Reçica.

    Thirrjen e Komunës për pagesat, ai e cilëson edhe si të palogjikshme, edhe shkaku i dallimit të numrit të klientëve nëpër databaza.

    “Nuk ka logjikë, Komuna me dalë me thanë paguani ku të doni. Ne e kemi edhe databazën e klientëve. Në databazën tonë janë mbi 90 mijë klientë, e në databazën e komunës rreth 72 mijë. Ai diferenca nuk janë të regjistrum në komunë, derisa në “Pastrim” krijojnë kosto”, deklaron ai.

    Ai thotë se kanë bazë që t’i dërgojnë në përmbarim, meqë operimin e kanë të pamundur shkaku se janë mbi 2.5 milionë euro të painkasuaa.

    “Ne kemi bazë me I cu në përmbarim. Përveç hapave ligjorë që jemi duke i përgatit. Nga janari deri tash sa jemi, janë diku mbi 2.5 milionë euro të painkasuara. Është e pamundur ne me kry shërbim”, ka thënë Reçica. /Reporteri.net

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!