Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin e antidrogës që është zhvilluar sot në Rajonin e Prishtinës.
Gjatë këtij aksioni, Policia ka bërë me dije se ka arrestuar pesë persona të dyshuar dhe drogë në vlerë 380 mijë euro, shkruan Reporteri.net.
Në Prishtinë janë konfiskuar mbi 2 kilogramë drogë që dyshohet të jetë kokainë në vlerë rreth 200 mijë euro, një armë me 35 fishekë, dy automjete, tre telefona dhe 4 mijë euro para të gastshme.
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Sektori Qendror, në koordinim me Prokurorinë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, ka realizuar me sukses operacionin policor, i cili është zhvilluar në bazë të hetimeve të gjata dhe të mbështetura në masa të veçanta të hetimit.
Operacioni u zhvillua më 22.04.2025 rreth orës 15:00, dhe pati si rezultat arrestimin e disa të dyshuarve për veprën penale sipas Nenit 267 të Kodit Penal – Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
“Po ashtu, gjatë operacionit, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë tentuar të largohen me veturën e tyre. Gjatë kontrollit u është gjetur një armë dhe është konstatuar se automjeti i tyre ishte me dokumentacion të falsifikuar. Personat në fjalë nuk kanë ndërlidhje me rastin kryesor, andaj janë proceduar nga patrulla policore e Stacionit Jugu – Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Pastaj është kontrolluar edhe banesa e njërit nga të dyshuarit në Fushë Kosovë, ku janë gjetur dhe sekuestruar: 2 kg e 300 gram substancë e dyshuar kokainë (vlerë e përafërt në treg rreth 180,000 euro), dhe një armë zjarri me 14 fishekë.
“Të gjithë të dyshuarve kryesor iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet janë duke vazhduar nga DHTN – Sektori Qendror në koordinim me organet e drejtësisë. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo aktivitet të dyshimtë në mënyrë që së bashku të ndërtojmë një ambient më të sigurt për të gjithë”, thuhet në njoftim./Reporteri.net