Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar pasurinë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Krasniqi si pasuri të paluajtshme ka deklaruar një banesë në vlerë 120 mijë euro, e cila ka thënë se është ndërrim me apartamentin paraprak, si dhe një shtëpi në vlerë 180 mijë euro, e blerë me kursime, kredi dhe kontribut familjar.
Si pasuri të luajtshme ka deklaruar bibliotekë me vlerë 15,000 euro (pronësi e përbashkët), vepra arti në vlerë 9,000 euro (pronësi e përbashkët) dhe vetura në vlerë 20,000 euro (në pronësi të bashkëshortes), etj.
Krasniqi ka deklaruar se posedon një sasi të konsiderushme të kripotovalutave, në total 25 lloje të ndryshme.
Një sasi prej 2 Bitcoin që e kishte blerë më 24.06.2016 në vlerë 570 euro tani kanë vlerën 76,150 euro, ndërkohë 10 kriptovaluta Ether që i kishte blerë në të njëjtën datë në vlerë 12 euro, tani kanë vlerën 1,690 euro.
Para të gatshme në llogari rrjedhëse, Krasniqi i ka deklaruar 3,194 euro në pronësi të tij, kurse 32,092.68 euro në pronësi të bashkëshortes. Kreu i PDK-së ka deklaruar po ashtu 20,091.21 euro si të ardhura vjetore personale, të cilat burojnë nga pagat neto në Kuvend të Kosovës.
Ndërsa, 13,935.05 euro janë të ardhurat vjetore familjare të bashkëshortes së Krasniqit nga pagat neto në Institutin Albanologjik të Kosovës. Si dhe, 2,108 euro janë të ardhura nga bashkëshortja e tij nga punët me kontratë në Shtëpinë Botuese ‘Albas’. /Reporteri.net/