Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar lidhur me raportime se i dyshuari për vrasjen e policit Triumf Riza, Enver Sekiraça, ka dëshmua në Hagë në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një reagimi për media, kjo organizatë ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që urgjentisht të qartësojnë nëse këto raportime janë të vërteta.
OVL-UÇK, gjithashtu ka kërkua nga institucionet që të hetohet gjyqtari Agim Kuçi, i cili ka marrë vendim për ndryshimin e masës ndaj Enver Sekiraqës.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën publike lidhur me veprimet e papërgjegjshme të gjyqtarit Agim Kuçi, i cili mori vendim të njëanshëm për lirimin nga masa e arrestit shtëpiak të Enver Sekiraqës, person i dënuar për nxitje të vrasjes së heroit të policisë, Triumf Riza, dhe me histori të përsëritur të veprave kriminale. Vendimi i gjyqtarit Kuçi jo vetëm që bie ndesh me parimet e drejtësisë dhe sigurisë publike, por ka ngritur dyshime serioze se me këtë veprim është lehtësuar ikja e Sekiraqës jashtë Kosovës. Sipas raportimeve të shumta mediatike, ekziston dyshimi se ky individ ka përfituar nga ky vendim i paprecedent për të dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë, në procese që zhvillohen kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,bashkëluftëtarëve tanë”, është thënë në reagimin e OVL-UÇK-së.
Sipas OVL-UÇK-së, ikja e Sekiraqës mund të jetë skenar i mirëkoordinuar kundër luftës çlirimtare.
“OVL e UÇK-së kërkon hetim të menjëhershëm dhe të plotë ndaj gjyqtarit në fjalë dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë vendim skandaloz. Gjithashtu, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të qartësojnë urgjentisht nëse Enver Sekiraqa ka dëshmuar në Hagë dhe çfarë ndikimi kanë pasur veprimet e tij në proceset që zhvillohen kundër bashkëluftëtarëve tanë.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pastër dhe mbështetur në vullnetin e popullit. Nuk do të lejojmë që ajo të njolloset përmes manovrave të tilla të ulëta që dëmtojnë besimin në drejtësi dhe cenojnë nderin e atyre që luftuan për liri”, është thënë në reagimin e OVL-ÇK-së.