×
  • Lajme
  • Lajme / Konfirmohet

    S’ka takim konsultativ para seancës

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 9:38

    Deputetët do të mblidhen sërish sot, në një përpjekje tjetër për konstituimin e Kuvendit. Seanca konstituive, e nisur që nga 15 prilli, do të vazhdojë sot në orën 10:00.

    Për dallim nga seancat e kaluara, sot nuk do të ketë takim konsultativ. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk e ka thirrur një të tillë.

    Kjo është konfirmuar për Reporteri.net nga deputetja e AAK’së, Time Kadriaj.

    “Jo, nuk kemi asnjë ftesë”, ka deklaruar Kadriaj.

    Në këtë seancë pritet të hidhet sërish në votim propozimi për Kryetare Kuvendi, që nga VV është propozuar emri i Albulena Haxhiut.

    Në tri votimet e kaluara, Haxhiu ka marrë 57 vota nga 61 sa nevojiten.

    Pavarësisht kësaj, VV s’ka hequr dorë nga ky propozim.

    “Nuk ka ndërruar emri”, ka deklaruar mbrëmë kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari.

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar të votojnë Haxhiun, duke e konsideruar si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do të votojë kundër çdo kandidati që propozon VV’ja./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!