Në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës sot është zbuluar pllaka përkujtimore e veprimtarit të kësaj partie dhe ish-Kryetarit të Klinës, Ismet Rracit, në 24 vjetorin e vrasjes së tij, shkruan Reporteri.net.
Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe familjarët e Rracit si dhe deputetët dhe anëtarët e Kryesisë së LDK’së.
“Kjo pllakë, pjesë e koridorit të përkujtimeve në LDK, krah Enverit, Xhemes e Nekibes, do të shërbejë si shenjë kujtimi për veprën e jashtëzakonshme të burrave e grave të shtëpisë tonë në shërbim të vendit. Më 24 prill të vitit 2001, familja Rraci humbi më të dashurin e tyre; LDK një veprimtar të pashoq të orëve të rënda; Klina një kryetar komune të zgjedhur me votë demokratike; e Kosova një atdhetar të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci”, ka shkruar Abdixhiku.
Ismet Rraci ishte themelues i Degës së LDK-së në Klinë. Pas përfundimit të luftës, ai ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Klinës. Gjatë shkuarjes së përditshme për në punë, pranë hyrjes së banesës së tij, ishte vrarë më 24 prill të vitit 2001. Vrasësit ende janë në liri.