×
  • Lajme
  • Lajme

    Vjet ishin rreth 22 mijë, a mund të frenohen falimentimet e kompanive gjermane?

    Reporteri
    25 Prill 2025 | 12:41

    Vitin e kaluar në Gjermani pati pothuajse 22 mijë falimentime. Shoqatat e biznesit po kërkojnë urgjentisht lehtësim. Ndryshe, situata do të përkeqësohet edhe më shumë.

    Kompania Meeth në Wittlich në perëndim tëGjermanisë ka fituar besimin e klientëve të saj për gati 40 vjet me dritare dhe korniza dritaresh cilësore. Këtu kanë punuar edhe nëntëdhjetë bashkëpunëtorë, por tani puna ka mbaruar. Ajo shpalli falimendimin dhe tani kompania drejtohet nga administratori i falimentimit dhe avokati Alexander Jüchser. Kompania kërkoi më kot një investitor të ri. Ndërkohë punonjësve u janë dorëzuar dokumentet për ndërprerjen e punës.

    “Sektori i ndërtimit është në krizë këtë vit. Për të pestin vit radhazi ka një rënie për shkak të rritjes së çmimeve të punimeve të ndërtimit, mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar dhe numrit më të vogël të lejeve të ndërtimit. E kur ndërtohet më pak, porositen më pak edhe dritare dhe dyer”, përmbledh administratori i falimentimit. Kjo po ndodh në të gjithë Gjermaninë dhe jo vetëm në landin Rheinland Pfalz, ku ndodhet fabrika.

    Shumë falimentime, pak kompani të reja

    Numri i falimentimeve të kompanive gjermane është në rritje të vazhdueshme prej dy vitesh. Vitin e kaluar kane falimentuar gati 22 mijë kompani, më së shumti që nga viti 2015. Kështu vazhdon edhe këtë vit. Në mars ka pasur 1459, 2% më shumë falimentime se në shkurt, raporton Instituti për Kërkime Ekonomike Leibniz në Halle (IWH).

    Numri i falimentimeve nuk ka qenë aq i lartë që nga fundi i krizës financiare në vitin 2009, në të gjitha degët e ekonomisë – nëindustri, ndërtimtari dhe në tregti. Ndërkohë që numri i kompanive që po themelohen është tepër i vogël.

    Tobias Wahl është një avokat falimentimi dhe ristrukturimi në firmën ligjore Anchor. 57-vjeçari vepron në Mannheim dhe prej një çerek shekulli është në kërkim të investitorëve pas falimentimit të ndonjë kompanie.

    “Për momentin po shohim një rritje të ndjeshme të falimentimeve. Por situata nuk është aq dramatike sa duket në shikim të parë. Në kohën e koronës, shumë kompani nuk kanë punuar por e kanë mbijetuar falë mbështetjes së shtetit. Ajo që po shohim tani është në një farë mënyre manifestim i të së kaluarës”, shpjegon Wahl.

    Por Gjermania po përballet edhe me një krizë strukturore. “Ju mund ta shihni këtë, për shembull, me prodhuesit e pjesëve për industrinë e automobilave dhe fabrikat që kërkojnë shumë energji për prodhim, të gjithë janë të prekur fuqishëm. Ndërkohë që në politik dhe treg ka një pasiguri të madhe”, thotë eksperti i falimentimit.

    Më pas vijnë edhe çmimet më të larta të lëndëve të para, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe rritja e kostove të fuqisë punëtore, normat më të larta të interesit të kredive etjerë. “Mendoj se unë dhe kolegët e mi do të kemi shumë punë për të bërë edhe vitin e ardhshëm”, mendon ai./DW

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!