×
  • Lajme
  • Lajme / Reagime

    “Çmimet po rriten çdo ditë, në Kuvend po merremi me emra të përveçëm”, kritikat që sot PDK ia bëri VV-së pas dështimit të konstituimit të Kuvendit

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 20:02

    Sot dështoi për herë të shtatë tentativa për konstituimin e Kuvendit. Propozimi i Vetëvendosjes për zgjedhjen e Kryeparlamentarit as sot nuk mori votat e mjaftueshme, çka u vendos që seanca të vazhdohet të martën në ora 10:00.

    Pas dështimit të konstituimit të institucionit ligjvënës, partia e dytë më e madhe në vend, Partia Demokratike e Kosovës përmes deputetëve të saj ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit se po e mban peng Kosovën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    PDK thotë se ndërsa çmimet po rritren çdo ditë, deputetët në Kuvend po merren me emra të përveçëm.

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se është e papranueshme si Lëvizja Vetëvendosje po e trajton Kosovën dhe institucionet e saj, shkruan Reporteri.net.

    Çitaku thotë se VV-ja s’ka zgjedhur kurrë mjete për të sulmuar sipas saj, institucionet e vendit.

    “E papërgjegjshme dhe e papranueshme është mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje trajton Kosovën, institucionet dhe qytetarët e saj. Përpjekja e vazhdueshme për të degraduar çdo institucion është konstanta e vetme e kësaj lëvizjeje.
    Nga gurët dhe gazi, deri te kryeneçësia e pakuptimtë, LVV nuk ka zgjedhur kurrë mjete për të sulmuar dhe dëmtuar institucionet e këtij vendi”, shkruan ajo në Facebook.

    Sipas saj, VV-ja e ka në dorë të zhbllokojë punën e Kuvendit, por që siç thotë ajo nuk po e bën pasi “përdorimi i mjeteve normale në politike nuk është në traditën politike të saj”.

    “Ndërkohë, aferat në fushën e energjisë nuk kanë të ndalur, çmimet rriten çdo ditë, e ne në Kuvend po merremi me ulëse dhe me emra të përveçëm. Turp”, shkruan ajo.

    Edhe deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas dështimit të sërishëm që Kuvendi të konstituohet, duke thënë se Kosova po përballet me bllokada institucionale dhe se një parti, ka marrë peng institucionet dhe po tenton të zëvendësojë rendin kushtetues me vullnetin arbitrar të liderit të saj.

    “Kushtetuta i jep të drejtë partisë më të madhe për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk e detyron askënd ta votojë atë. Nëse do të ishte ndryshe, Kushtetuta do të kishte parashikuar që kryetari të emërohej nga partia më e madhe, pa procedurë votimi. Për më tepër, kërkesa që deputetët të votojnë domosdoshmërisht Albulena Haxhiun është krejtësisht e palogjikshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë parlamentare, sepse deputetët nuk janë noterë të vendimeve të një partie të vetme, ata përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe kanë të drejtë të votojnë sipas bindjes së tyre”.

    “Kjo qasje krejtësisht e pakuptimtë e LVV-së tregon qartë mungesën e respektit që ka kjo parti për Kushtetutën dhe parimet themelore të rendit demokratik. Për LVV-në, Kushtetuta është e dobishme vetëm atëherë kur u shërben interesave të tyre partiake, ndërsa në çdo rast tjetër përpiqen ta interpretojnë ose ta injorojnë sipas tekeve politike. Prandaj, sot Kosova po përballet me bllokada institucionale: një parti ka marrë peng institucionet dhe po tenton të zëvendësojë rendin kushtetues me vullnetin arbitrar të liderit të saj”, ka thënë ai.

    Ndërsa, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu pas dështimit të seancës ka thënë se Vetëvendosja po e mban peng Kosovën.

    Sipas saj moskonstituimi i Kuvendit është një krizë e qëllimshme e shkaktuar nga VV-ja.

    “VETËVENDOSJA PO E MBAN PENG KOSOVËN, KUVENDI NUK ËSHTË PRONË E ASNJË PARTIE.
    Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës është një krizë e qëllimshme, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sot më shumë se kurrë po dëshmon se e vendos interesin e saj politik mbi shtetin, mbi ligjin dhe mbi qytetarët. Pengesa për formimin e institucioneve nuk është më çështje teknike, është sabotim i pastër politik, një përpjekje arrogante për të kontrolluar gjithçka, edhe në dëm të demokracisë”.

    “Vetëvendosje e ka kthyer vullnetin qytetar në monedhë pazari. Për ta, demokracia vlen vetëm kur u shërben interesave të tyre. Ata që dikur flisnin për drejtësi, sot mbrojnë bllokadën. Ata që akuzonin të tjerët për kapje të shtetit, tani janë kthyer në shembullin më të keq të kapjes politike ku Kuvendi nuk përbën më një institucion përfaqësues, por një vegël për pushtet të pakufizuar. Shtyrja e konstituimit të Kuvendit është një akt i rëndë politik që tregon fytyrën e vërtetë të Vetëvendosjes: autoritare, përçarëse, e paditur dhe e papërgjegjshme. Qytetarët nuk kanë votuar për stagnim, as për diktat partiak. Ata kanë votuar për funksionim të shtetit, për institucione që punojnë, jo për teatër politik dhe lojëra të pista partiake. Nëse kjo qasje vazhdon, Kosova do të futet në një krizë të thellë institucionale dhe përgjegjësinë do ta mbajë vetëm një parti: Levizja Vetëvendosje”, ka thënë Musliu. /Reporteri.net/.

     

     

     

     

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!